Sport

Synimi i Almës në Evropianin e parë si seniore

Karateistja Alma Loki po përkujdesej për çdo detaj të dielën para se të niste stërvitjen në një sallë të vogël në Ferizaj. Janë detajet që përcaktojnë fituesin në kata. Loki, 18-vjeçare, po bëhet gati për ta përfaqësuar Kosovën në Kampionatin Evropian për seniorë, që më vonë këtë muaj mbahet në Spanjë. Evropiani për të rritur mbahet në Guadalajara të Spanjës prej 22 deri më 26 mars. Për karateisten Loki është hera e parë që merr pjesë si seniore në një Evropian. Ajo synon më të mirën në një nga ngjarjet më të mëdha në sport.

“Ndihem krenare që Federata e Karatesë e Kosovës më ka përzgjedhur ta përfaqësoj shtetin e Kosovës. Edhe pse në moshë të re, do të mundohem ta jap më të mirën time. Atje janë idhujt e mi dhe do të përballem kundër tyre. Është ndjenjë e mirë të përballem kundër tyre, ta shoh veten ku jam dhe të tregoj se ne si shtet i vogël jemi të fortë dhe mund të arrijmë të fitojmë gjërat që duam”, ka thënë Loki për KOHËN.

Loki do të marrë pjesë në Evropian si e kualifikuar. Ajo ka fituar garën kualifikuese për ta përfaqësuar Kosovën në Spanjë. Së fundmi, ka dalë e dyta në Kampionatin Ballkanik për U21 në Mal të Zi. Por kjo nuk është ajo që e kënaq. Synimi i saj është edhe më i madh.

“Ëndrra më e madhe është të renditem në mesin e më të mirave të botës, pse jo edhe t’ua kaloj idhujve të mi dhe t’i bëj krenar shtetin e Kosovës, prindërit e mi, trajnerët, Komitetin Olimpik të Kosovës dhe gjithë qytetarët e Kosovës që na mbështetin neve si sportistë”, është shprehu Loki.

Loki me karate ka nisur të merret prej moshës 8-vjeçare. Ajo numëron disa suksese që i ka arritur për dhjetë vjet. Thotë se ka dalë shtatë herë kampione e Kosovës në kata, ndërsa si kadete e re ka zënë vendin e dytë në Kampionatin Ballkanik. Vendin e parë thotë se e ka edhe në Grand Prix dhe Youth League. Këto dy gara janë mbajtur në Kroaci. Ajo tregon se në Kosovë kata nuk është e zhvilluar. Megjithatë, Loki mburret se ka rezultatet më të mira të Kosovës në garat ndërkombëtare në kata.

“Në Kosovë kata nuk është shumë e zhvilluar dhe këto rezultatet e mia janë të parat që janë marrë jashtë vendit. Falënderoj familjen që më ka përkrahur edhe kur shpeshherë jam ndalur dhe i kam thënë vetes se nuk mundem më. Jam studente në Degën e fizioterapisë dhe është nganjëherë rënd t'i mbaj të dyja, shkollimin dhe sportin”, shtoi Loki.

Për t’u marrë me karate thotë se inistuese ka qenë nëna e saj.

“Shtytje për t’u marrë me sportin e karatesë ka qenë nëna ime që ka qenë vetë sportiste. Në fillim e kam pasur si hobi. Nuk ka qenë serioze, por me kalimin e viteve kam parë që shpirti më fle në karate dhe të merrem edhe më shumë me sportin e karatesë”, ka theksuar ajo.

Karateistja e klubit Kastrioti thotë se është ambicioze. Tregon se nuk është dëshpëruar edhe kur nuk ka fituar ndonjë medalje.

“Gjithmonë si fëmijë kam qenë ambicioze edhe në shkollë. Sukseset kanë qenë shtyse për mua, por edhe kur nuk kam fituar asgjë, kam vazhduar me synimin për të arritur më të mirën time”, ka thënë Loki.

Synimi më i madh i saj është që një ditë ta fitojë medaljen e artë Evropiane apo Botërore.

“Kam dëshirë të arrij ende më shumë, të bëhem versioni më i mirë i vetes sime dhe në të ardhmen të arrij të bëhem kampione evropiane dhe botërore”, ka thënë Loki.

Ajo është e bindur se me punë dhe përkushtim mund ta realizojë synimin e madh.

I bindur se Loki mund të ketë sukses në të ardhmen është edhe trajneri Gani Mahalla. Mahalla është instruktor i karatesë në klubin e Kastriotit.

“Me angazhimin edhe të trajnerëve, po edhe të vetë Almës, sukseset nuk do t'i mungojnë edhe në arenën ndërkombëtare. Kjo përfaqëson Kosovën edhe për juniorë edhe seniorë”, ka thënë Mahalla.

Më herët këtë vit, Loki dhe karateistët e tjerë të Kosovës u diskriminuan në Qipro, në Evropianin për të rinj. Nuk morën pjesë pasi organizatori nuk i lejoi simbolet e Kosovës në palestër. Ndërkohë, edhe në të kaluarën karateistët ishin “viktimë” e diskriminimit. Në Spanjë kanë pasur telashe edhe sportistë të tjerë, por shumë sportistë të Kosovës kanë hyrë dhe kanë garuar në këtë vend. Por Loki doli nga salla ku po përgatitej për t’u kthyer nga Spanja me ndonjë sukses të madh.