Selektori i Shqipërisë, braziliani Sylvinho, ka folur të shtunën për dy ndeshjet që kuqezinjtë i zhvillojnë këtë muaj në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Sylvinho, po ashtu, është ndalur edhe te prurjet e reja, në veçanti te ftesat për Arbnor Mujën dhe Mirlind Dakun. Muja dhe Daku, së fundmi, janë pajisur me pasaporta të Shqipërisë dhe menjëherë janë ftuar nga Sylvinho për duelet me Çekinë dhe Poloninë. Sipas Sylvinhos, Muja dhe Daku janë ftuar për shkak se mund t’i ndihmojnë shumë Shqipërisë në përballjet e këtij muaji. Madje, ai ka thënë se dy futbollistët nga Kosova kanë gjasa të mira për të pasur minutazhë në të dyja ndeshjet. Më 7 shtator, Shqipëria luan në udhëtim te Çekia, ndërsa tri ditë më vonë përballet me Poloninë në Tiranë.
“Daku dhe Muja janë dy lojtarë që kanë mundësi të marrin minuta në këto dy ndeshje. Janë të fortë dhe mund të na ndihmojnë në këto dy sfida, duke pasur parasysh karakteristikat e kundërshtarëve. Janë lojtarë që mendoj se mund të kenë minuta në këto ndeshje”, ka thënë Sylvinho.
Për Dakun, Sylvinho ka thënë se është një lojtar i fortë fizikisht, nuk dorëzohet dhe jep shumë në fushë gjatë tërë ndeshjes. Ndërsa sa i përket Mujës, ka thënë se është lojtar që mund ta përdorë në disa pozita dhe Shqipërisë i kryen shumë punë në këto momente.
“Daku është një lojtar që luan si pykë në zonë, një lojtar që lufton shumë, i fortë fizikisht dhe jep shumë gjatë 90 minutave. E njëjta gjë edhe për Mujën. Është një lojtar që mund të luajë në disa pozicione, mesfushë dhe sulm. Kësisoj, ai mund të na bëjë shumë punë në këto momente. Është një lojtar që jep shpirtin në fushën e lojës, maksimumin e tij në 90 minuta”, është shprehur Sylvinho.
Sa u përket përballjeve me Çekinë dhe Poloninë, Sylvinho i ka vlerësuar si ndeshje tejet të forta. Mirëpo, ka shtuar se Shqipëria synon pikët maksimale pasi objektivi i saj mbetet kualifikimi në Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.
“Përpara kemi 5 finale dhe ne duam kualifikimin ashtu si të gjithë. Do të luajmë fort në këto dy ndeshje që kur të vijë nëntori ne të jemi në garë për t’u kualifikuar. Nuk mund të bëjmë dot llogari në këto momente, pasi ato bëhen në nëntor”, është shprehur Sylvinho.
Megjithatë, trajneri brazilian ka shtuar se fokusi i Shqipërisë, tani për tani, është te ndeshja ndaj Çekisë që zhvillohet në Pragë. Ai ka thënë se Shqipëria shkon për fitore, por shtoi se nëse nuk marrin pikët e plota, atëherë mjafton edhe barazimi.
“ Jemi 100% të fokusuar për Çekinë. Ka lojtarë shumë cilësorë. Fokusi ynë është vetëm kjo ndeshje për momentin. Mbase fitojmë, shkojmë për maksimumin. Por për mua nëse nuk fiton, e rëndësishme është të mos humbasësh”, ka thënë Sylvinho.
Shqipëria bën pjesë në Grupin E kualifikues të “Euro 2024”, ndërsa pas tri ndeshjeve të zhvilluara deri më tani, renditet e dyta me 6 pikë të mbledhura. Grupit i prinë Çekia me 7 pikë, ndërsa Polonia është e katërta me vetëm 3 pikë. Moldavia, që ka një ndeshje më shumë të luajtur, është në vendin e katërt, ndërsa grupin e mbyll Përfaqësuesja e Ishujve Faroe me vetëm një pikë. Shqipëria grumbullimin për duelet me Çekinë dhe Moldavinë e nis të hënën në Tiranë.