Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Swiatek e ka ngritur tenisin e Polonisë në lartësi të reja

Duke lëvizur nëpër terrenet e një turneu me bar në fshatin qendror të Polonisë, Michalowek, Aneta Budzalek ka pamjen e një prindi që shkëlqen nga krenaria, shkruan DW të premten. Budzalek është drejtoreshë e këtij turneu të veçantë për juniorët, i cili mbahet nën organizimin e Federatës Ndërkombëtare të Tenisit. Ajo është gjithashtu koordinatore e programit të tenisit amator, “Tenis Open Polska”, në Federatën e Tenisit të Polonisë.

“Jam shumë e lumtur që më në fund tenisi është kaq i popullarizuar në Poloni”, ka thënë Budzalek.

39-vjeçarja thotë se donte të luante tenis si fëmijë, por filloi me këtë sport vetëm në moshën 30-vjeçare. Ajo thotë se tenisi mbetet një sport i shtrenjtë në Poloni krahasuar me sportin kombëtar - futbollin.

“Ishte ëndrra ime që një ditë tenisi të mos ishte më një sport ekskluzivisht për elitën e pasur”, thotë ajo.

Tani, pjesërisht falë sukseseve të numrit një të botës për femra, Iga Swiatek, ëndrra e Budzalekut është më afër realizimit. Tenisi polak po sheh një rritje intensive, duke ofruar prova të mjaftueshme se nuk ka qendra të mjaftueshme stërvitore për të gjithë të interesuarit.

Edhe Swiatek sulmon mediat e vendit të saj pas triumfit në “Wimbledon” Sporte të tjera Swiatek sulmon mediat e vendit të saj pas triumfit në “Wimbledon”

“Tenisi është konsideruar gjithmonë një sport elitar dhe tani synimi ynë kryesor është të ndryshojmë imazhin e tenisit”, thotë Budzalek.

Shpërthimi i kampiones të Grand Slamit “Frech Open”, Swiatekut, po aq sa çdo faktor tjetër i vetëm, ka qenë kyç në rritjen e tenisit në Poloni, veçanërisht për të rinjtë që mund të mos e kishin menduar seriozisht pjesëmarrjen në të kaluarën në këtë sport.

Përpara Swiatekut, thotë Budzalek, fëmijët nuk donin të kushtonin kohë për të kapërcyer fazën fillestare të këtij sporti. Tani, megjithatë, Budzalek po sheh se “më shumë fëmijë duan të luajnë tenis, sepse shohin se mrekullitë mund të ndodhin”.

“Mrekullitë” si triumfi i Swiatekut në “French Open” në vitin 2020, atëherë vetëm 19 vjeç dhe e renditur e 54-ta në botë, duke u bërë lojtarja me renditjen më të ulët për të fituar titullin që nga prezantimi i ranglistës në vitin 1975.

Fitorja e saj e ktheu tenisin polak në majë. Dhe, më pas Swiatek e fitoi përsëri këtë vit titullin në “French Open”. Ajo do të jetë e para në vazo kur Grand Slami “Wimbledon” i këtij viti të hapë portat e tij në Londër më 27 qershor. Përpara Swiatekut, polakja e fundit që arriti një rëndësi të tillë në skenën globale ishte Agnieszka Radwanska, e cila fitoi 20 tituj në karrierën e saj dhe u ngjit në vendin e dytë në renditje në vitin 2012, vit kur ajo arriti në finalen e Wimbledonit. Ajo doli në pension në vitin 2018 dhe gjithashtu ka ndihmuar që loja të rritet në Poloni.

Edhe Swiatek fiton Wimbledonin dhe shkruan histori Sporte të tjera Swiatek fiton Wimbledonin dhe shkruan histori

“Radwanska ishte një lojtare fantastike dhe shumë e dashur që arriti lartësi të mëdha”, thotë gazetari Mateo Szlapek-Sewillo. “Por kurrë nuk kishte kuptimin se ajo do të bëhej një yll i madh global. Swiatek tashmë i ka tejkaluar arritjet e saj në karrierë dhe duket se do ta vendosë veten si një lojtare lidere e kësaj dekade”.

Këtë e pranon edhe Budzalet, e cila tha se Swiatek ka ndihmuar shumë në ngritjen e tenisit të Polonisë në lartësi të reja. Sipas saj, Swiatek është shumë e afërt me të gjithë, sidomos kur viziton të rinjtë nëpër turnetë e ndryshëm të tenisit në Poloni. Në paraqitjen e saj të parë publike në Poloni pas fitores në “French Open”, vetë Swiatek u tha gazetarëve: "Është shumë e rëndësishme për mua që mund të ndihmoj për ta bërë tenisin më popullor në Poloni”.