Sport

Suspendimi i Toneyt reduktohet për shkak të varësisë nga bixhozi

Ivan Toney u diagnostikua me një varësi nga bixhozi pasi u ngarkua me 232 akuza për shkelje të rregullave të basteve të futbollit anglez, tha një komision i pavarur në një vendim të publikuar të premten.

Sulmuesi i Brentfordit javën e kaluar u pezullua për tetë muaj për shkak të shkeljeve të bëra. Komisioni i pavarur tha në raportin e tij se dënimi mund të ishte më i rëndë nëse nuk do të jepej diagnoza e gjendjes së tij.

Toney është suspenduar nga të gjitha aktivitetet e futbollit me efekt të menjëhershëm, deri më 16 janar të vitit 2024. Ai u gjobit gjithashtu me 62 mijë dollarë.

Mes një “numri të konsiderueshëm shkeljesh”, disa nga bastet e Toneyt mund të kishin rezultuar me dënim maksimal, përkatësisht ndalim të përjetshëm, thuhet në raport. Shkeljet përfshinin 13 baste për humbjen e ekipit të tij.

Komisioni e përshkroi Toneyn si një “kumarxhi produktiv” për të cilin Federata e Futbollit të Anglisë (FA) pretendon se ishte pjesë e një “sistemi të sofistikuar” që vendosi baste për një periudhë të gjatë kohore. Megjithatë, dëshmia nga Dr. Philip Hopley, psikiatër, luajti rol të rëndësishëm në kohëzgjatjen e dënimit të Toneyt. Komisioni tha se varësia e lojtarit nga kumari ofroi “zbutje të konsiderueshme”.

Toney tashmë kishte një pezullim të mundshëm 15-mujor të reduktuar në 11 muaj, kur u deklarua fajtor për akuzat. Komisioni tha se diagnoza e Hopleyt ishte e “rëndësisë së veçantë” dhe duhej të rezultonte në një “ulje të konsiderueshme” të dënimit.

“Mungesa e kontrollit që lojtari ka në lidhje me lojërat e fatit është qartë një reflektim i varësisë së tij të diagnostikuar nga bixhozi”, thuhet në vendim. “Toney ka pushuar së vëni baste në futboll edhe pse ai ende luan në sporte të tjera dhe kazino. Ai është i vendosur ta zgjidhë problemin e lojërave të fatit me terapi në përfundim të këtij edicioni. Duke marrë parasysh të gjitha këto çështje, Komisioni e zvogëlon dënimin për 3 muaj, në një pezullim prej 8 muajsh”.

Toney e ka stabilizuar veten si një nga sulmuesit më efikas në Premier League pasi luajti nëpër divizionet e ulëta të futbollit anglez në fillimet e karrierës së tij. Ndërsa ishte në Newcastle ai ishte huazuar te Barnsley, Shrewsbury, Scunthorpe, Wigan dhe Peterborough përpara se të bashkohej me Brentfordin në vitin 2020. Akuzat lidhen me një periudhë prej pesë edicionesh, nga 25 shkurti i vitit 2017 deri më 23 janar të vitit 2021.

Rregullat e FA-së nuk lejojnë futbollistët “që të vënë baste, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi” për të mbrojtur integritetin e sportit. Në mesin e akuzave është edhe ajo për 29 baste ose udhëzime për të vënë baste në lidhje me klubet ku Toneyy ishte pjesë apo ishte i huazuar.

Toney nuk luajti në asnjë nga shtatë ndeshjet e ndryshme në të cilat u vendosën 13 baste për humbjen e ekipit të tij. Kishte 15 baste që ai të shënonte gol në ndeshjet në të cilat luajti. Sipas raportit, Toney pranoi se “gënjente në mënyrë të përsëritur” kur i tha federatës se nuk kishte vënë bast në futboll. Komisioni zbuloi gjithashtu se Toney u përpoq të fshihte nivelin e basteve të tij duke përdorur llogaritë e basteve të njerëzve të tjerë.

Toney do të lejohet të kthehet në stërvitje me Brentfordin në katër muajt e fundit të pezullimit të tij.

“Natyrisht, jam i zhgënjyer që nuk do të jem në gjendje të luaj për tetë muajt e ardhshëm”, shkroi ai në Twitter.

Pezullimi i Toneyt vjen në kulmin e karrierës së futbollistit. Së fundmi është ftuar edhe nga Përfaqësuesja e Anglisë. Ai ka shënuar 20 gola në ligë këtë edicion. Vetëm Erling Haaland e Harry Kane kanë më shumë. Dënimi i Toneyt hedh dritë mbi marrëdhëniet e futbollit me lojërat e fatit. Brentfordi, për shembull, ka fanellën e sponsorizuar nga një firmë bastesh, sikurse një numër skuadrash të tjera. Në prill, klubet e Premier Leagues ranë dakord të ndalojnë sponsorizimin nga kompanitë e lojërave të fatit në pjesën e përparme të fanellave, por kjo nuk do të hyjë në fuqi deri në fund të edicionit 2025/26.