Pavarësisht se sa goditje merr Ivan Toney, ai vazhdon të shënojë gola. Ka pasur abuzim racist në mediat sociale dhe një ndalim të mundshëm pasi ai u akuzua për 262 shkelje të rregullave të basteve të futbollit anglez. Ai gjithashtu u përjashtua nga Përfaqësuesja e Anglisë për Botërorin “Katari 2022”, përkundër formës së tij fantastike dhe golave që i shënonte vazhdimisht me fanellën e Brentfordit. Megjithatë, Toney vazhdon të gjejë rrjetën me një ritëm të tillë që vetëm Erling Haaland dhe Harry Kane kanë shënuar më shumë se ai në Premier League këtë sezon. Duke pasur parasysh këtë formë, selektori i Anglisë, Gareth Southgate, nuk mund ta injoronte sulmuesin 27-vjeçar kur publikoi listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet kualifikuese të Euro 2024 kundër Italisë dhe Ukrainës. Southgate e ftoi Toneyn edhe pse ka shumë pasiguri rreth të ardhmes së lojtarit. Nëse Toney shpallet fajtor për akuzat e basteve që datojnë në vitin 2017, ai ka të ngjarë të përballet me një ndalim të gjatë.
“Nuk ka pasur ende një gjyq apo ndonjë gjykim, kështu që nuk e di se mbi çfarë baze nuk do ta zgjidhnim atë të jetë pjesë e Anglisë për këto ndeshje”, tha Southgate për Toneyn.
Ndërsa forma e Toneyt pa dyshim e bëri të pamundur që përfaqësuesja angleze ta anashkalojë atë, Southgate nuk ka asnjë mënyrë për të ditur disponueshmërinë e tij për pjesën e mbetur të kampanjës kualifikuese të Euro 2024 në dritën e akuzave. Ish-mesfushori i Manchester Cityt dhe Newcastlet, Joey Barton, u dënua për 18 muaj në vitin 2017, pasi pranoi se kishte vendosur 1260 baste të lidhura me futbollin për një periudhë prej më shumë se 10 vjet. Kjo më vonë u reduktua në gati pesë muaj pas apelit. Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Daniel Sturridge, mori një pezullim katërmujor në vitin 2020 për shkeljen e rregullave mbi informacionin e brendshëm në lidhje me bastet. Dënimi i Toneyt mund të bjerë diku midis këtyre dy rasteve nëse ai shpallet fajtor. Ftesa e tij tek Anglia ishte ndoshta edhe më befasuese, pasi ai vuri në dyshim publikisht trajtimin e çështjes së tij nga Federata e Futbollit të Anglisë pas raportimeve se ai mund të përjashtohej për gjashtë muaj. Duke shkruar në Instagram këtë muaj, ai tha se ishte “i shqetësuar për procesin”. Nëse një ndalim i mundshëm po rëndon në mendjen e tij, kjo nuk ka qenë e dukshme kur ai ka luajtur për Brentfordin këtë sezon. Toney ka shënuar 17 gola në 27 paraqitje në të gjitha garat për klubin londinez, të cilin po e mban në Premier League për sezonin e dytë pasi e promovoi dy vjet më parë. 16 golat e tij në ligë e bëjnë atë ndër sulmuesin më të rrezikshëm, pasi aktualisht vetë, Haalandi i Cityt dhe Kane i Tottenhamit janë më efikas. Haaland ka shënuar 28 gola, ndërsa Kane është në kuotën e 21 golave të shënuar. Edhe nëse, siç ka të ngjarë, Toney mbetet në stol kundër Italisë dhe Ukrainës, ngjitja e tij gjatë një kohe kaq të trazuar është e jashtëzakonshme, me formën e tij të paprekur nga zhurma që e rrethon. Ai tregoi elasticitetin e tij në nëntor, kur, vetëm disa ditë pasi mësoi se nuk do të ishte pjesë e skuadrës së Anglisë në Kupën e Botës, e kaloi Haalandin duke shënuar dy herë në një fitore shokuese 2:1 kundër Cityt.
“Ai po kalon një sezon të shkëlqyer, duke luajtur mirë për Brentfordin, duke shënuar shumë gola”, tha bashkëlojtari i tij tek Anglia dhe mbrojtësi i Chelseat, Ben Chilwell. “Si mbrojtës mund të them se Toney është i vështirë për t’u mbajtur. Është lojtar i fortë fizikisht, teknikisht shumë i mirë dhe efikas para portës”.
Toneyt gjithashtu i është dashur të përballet me abuzimin racist. Në tetor ai ndau një mesazh që përmbante gjuhë raciste. Që atëherë, një person është ndaluar nga çdo stadium futbolli në Britani për tre vjet, pasi postimi i Toneyt çoi në një hetim policor. Por Toney ishte shënjestër e më shumë sulmeve raciste në internet, pasi shënoi kundër Arsenalit që kërkon titullin muajin e kaluar. Fakti që Toney ka treguar një forcë të tillë karakteri nuk është befasues, duke pasur parasysh pengesat që ai duhej të duronte në karrierën e tij të hershme, pasi nuk ia doli mbanë te Newcastle. Ai u dërgua në gjashtë huazime në klubet e ligave më të ulëta, duke përfshirë Barnsleyn, Shrewsburyn dhe Scunthorpen dhe më pak se tre vjet më parë po luante në divizionin e tretë të Anglisë për Peterboroughun. Brentfordi siguroi rrugën e tij për në Premier League, por vetëm pasi 33 golat e Toneyt e ndihmuan klubin të siguronte promovimin në vitin 2021. Ai ka dëshmuar se i përket ligës së lartë dhe disa klube të mëdha angleze tashmë kanë shfaqur interesim për Toneyn. Megjithatë, do të ishte e vështirë për çdo ekip të bëjë një ofertë përpara se të zgjidhen akuzat ndaj tij. Çdo mendim për një transferim të madh do të duhet të mbahet në pritje për momentin, me karrierën e Toney në një gjendje të paqartë, pavarësisht se reputacioni i tij po rritet ndeshje pas ndeshjeje.
-
Toney kthehet te Anglia pas dënimit prej 8 muajsh
-
Toney i gatshëm që mungesën shkaku i suspendimit t’ia shpaguajë me gola Brentfordit
-
Sulmuesi i Anglisë, Toney, po ndihet si i burgosur pa stërvitje dhe pa lojëra
-
Suspendimi i Toneyt reduktohet për shkak të varësisë nga bixhozi
-
Gjobë me para e tetë muaj pezullim nga futbolli për Toneyin e Brentfordit