Valmir Sulejmani ishte në listën rezervë të Kosovës për ndeshjet e muajit nëntor, miqësoren kundër Shqipërisë dhe ndeshjet e ciklit të dytë të Ligës së Kombeve kundër Sllovenisë dhe Moldavisë. Ai nuk u ftua, por i ka dhënë shpresë të madhe fakti që ishte në listën rezervë. Sulejmani beson se është në planet e përzgjedhësit Bernard Challandes. Thotë se ka kontakte të rregullta me menaxherin e përfaqësueses Bajram Shala.
Goli që ka shënuar të shtunën në fitoren e Hannoverit ndaj Braunschweigut (2:1) mund t’i ndihmojë Sulejmanit të kthehet te Kosova. Sulejmani shënoi golin e barazimit 1:1 në minutën e 34-t, ndërsa dy minuta më vonë ekipi i tij shënoi golin e fitores, në ndeshjen e xhiros së 20-të të Bundesligës 2 të Gjermanisë.
Sulejmani, 25-vjeçar, luan në sulm, ndërsa këtë edicion në 19 ndeshje në Kategorinë e Dytë të Gjermanisë ka shënuar dy gola dhe ka asistuar dy të tjerë.
Për Kosovën, Sulejmani i ka tri paraqitje, në vitet 2015 e 2016. Ka luajtur më pas për U21 të Kosovës, ndërsa më herët ishte pjesë e U17 të Gjermanisë. Një ndeshje e ka luajtur edhe për Shpresat e Shqipërisë.
Sulejmani është zhvilluar si futbollist te Hannoveri. Ai ka luajtur për një kohë edhe te Union Berlini dhe Waldhof Mannheim. Verën e vitit të kaluar është kthyer te Hannoveri, ku shpreson të vazhdojë të paraqitet mirë.
Sulejmani është ndarë i lumtur me golin e shënuar të shtunën. Ai shpreson të vazhdojë të shënojë gola për ta ndihmuar ekipin të ngjitet në Bundesligë dhe ta fitojë sërish ftesën te Kosova.
“Për neve dhe qytetin ka qenë fitore e rëndësishme. Është krijuar një derbi para më shumë se 50 vjetësh. Madje është hera e parë në 30 vjetët e fundit që Hannoveri i ka fituar dy ndeshje në vit nga Braunschweigu. Jam i lumtur që shënova gol dhe që kemi fituar këtë derbi”, ka thënë Sulejmani të dielën për KOHËN.
Sulejmani nuk e di gjenezën e krijimit të derbit. Por thotë se fitorja në derbi është goxha e mirë.
Në fakt, përballja Hannover – Braunschweig cilësohet si “Derbi i Saksonisë së Ulët”. Qytetet janë larg njëri-tjetrit vetëm 55 kilometra, ndërsa “urrejtja” e tyre është krijuar pas vendimit për krijimin e Bundesligës. Te Braunschweigu vlerësojnë ende se i është bërë e padrejtë në vitin 1963, kur Federata e Futbollit e Gjermanisë pati vendosur ta fuste Hannoverin në Bundesligë, ndonëse Braunschweigu ishte renditur në vendin e tretë dhe Hannoveri pati përfunduar në pozitën e nëntë në edicionin 1962-1963.
Hannoveri është në vendin e gjashtë me 32 pikë, nëntë më pak se lideri Hamburgu, ndërsa shtatë më pak se Bochumi që mban vendin e dytë. Dy vendet e para sigurojnë kalimin direkt në Bundesligë, ndërsa kanë mbetur edhe 15 xhiro pa u mbyllur edicioni aktual.
Sulejmani është bërë i rëndësishëm së fundmi te Hannoveri. Ai pranon se në fillim ka luajtur më pak.
“Në fillim nuk kam luajtur, tash jam angazhuar më shumë dhe jam duke luajtur si sulmues i krahut. Roli natyral është qendërsulmues, por jam përshtatur mirë edhe si sulmues i krahut. Po bëhen shtatë ndeshje apo tetë që po luaj si sulmues krahu. Kemi dy fitore radhazi dhe ka mundësi të ngjitemi në vendin e parë. Qyteti e po ashtu edhe klubi në bazë të kushteve meritojnë të jenë në Bundesligë. Na ka motivuar goxha shumë fitorja në derbi”, ka theksuar Sulejmani.
Sulejmani me Hannoverin ka kontratë deri në verën e vitit 2022, skuadër e vlerësuar në Gjermani. Me Hannoverin sulmuesi ka luajtur dhjetë ndeshje në Bundesligë. Por ai pati rënie në karrierë.
“Ka pasur disa faza që nuk më ka ecur mirë. Jam kthyer të luaj në Ligën e Katërt, pastaj Ligën e Tretë dhe tash në të Dytën. Por unë e di kualitetin tim. Më është dashur të kthehem katër hapa prapa për ta synuar kthimin e vërtetë si te klubi, ashtu edhe te Kosova. Kam pasur lëndim të rëndë para dy vjetësh dhe më është dashur të pushoj nëntë muaj. Më kanë thënë mjekët që më nuk kam gjasa të luaj, por fjalët e tyre më kanë motivuar më shumë për t’u kthyer më fuqishëm. Hannoveri më ka besuar dhe më ka përkrahur, duke më ofruar edhe kontratë”, ka thënë ai.
Sulejmani pranon se nuk ka pritur që kaq shpejt të kthehet në këtë nivel. Por ai thotë se me punë ia ka dalë.
“Më ka bërë mirë largimi nga familja, sepse mësova shumë gjëra. Kam pritur se do të kthehem në këtë nivel bazuar në kualitetet e mia, por jo kaq shpejt. Synimet i kam edhe më të mëdha. Unë kam edhe një vit e gjysmë kontratë, por me rëndësi është të jem shëndosh e mirë dhe të kem fatin në vazhdim të karrierës”, është shprehur Sulejmani.
Ai nuk e fsheh edhe dëshirën që sa më shpejt të ftohet nga Kosova. Për Kosovën ai më herët ka hequr dorë edhe nga pasaporta e Gjermanisë.
“Kam dëshirë të ftohem nga Kosova, kam hequr dorë edhe nga pasaporta e Gjermanisë dhe kam zgjedhur ta mbaj atë të Kosovës. Kam qenë i obliguar të zgjedh dhe unë zgjodha ta mbaj të Kosovës. Në Kosovë i kaloj gjithnjë pushimet, ndërsa në Gjermani kam fituar lejen e punës. Edhe për U-21 të Kosovës më ka ecur mirë. Dua ta vazhdoj kontributin tim për Kosovën. Kam obligim të luaj dhe ta jap më të mirën për Kosovën kurdo që ftohem”, ka thënë Sulejmani.