Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sulejmani po punon të kthehet në formën e tij më të mirë

Skuadra e Hannoverit e fitoi ndeshjen miqësore kundër ekipit Germania Egestorf me rezultatin 5:2 të mërkurën gjatë ditës, ndërsa kontribut të madh në këtë triumf dhanë edhe dy lojtarë të Kosovës, Valmir Sulejmani dhe Florent Muslija. Megjithatë, asnjëri nuk është ftuar nga Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji. Kosova, të dielën prej orës 20:45 luan ndaj Greqisë, ndeshjen e fundit të ciklit eliminator për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Por, Sulejmani nga Gjermania ka deklaruar se është duke punuar shumë për t’u përmirësuar. Në fakt, ai thotë se është në rrugë të mbarë për ta kthyer formën më të mirë të mundshme.

“Golat ishin të bukur”, thotë Valmir “Vale” Sulejmani, jo vetëm për Hannoverin, por edhe për të personalisht.

Pasi u infektua me koronavirus, sulmuesi është shprehur se tashmë e ka marrë veten dhe është në formë tejet të mirë. Valmiri ka pasur një periudhë shumë të vështirë. Në fillim të muajit shtator, para fitores 1:0 kundër ekipit St. Paulit, ai doli pozitiv në testin për COVID-19 dhe ishte shumë i sëmurë. Tani, ai thotë se ndihet shumë mirë.

“I pata thuajse gjitha simptomat, humbje të shijes, ethe, kollitje. Mezi merrja frymë. Kjo më frikësoi shumë. Për fat të mirë, tani gjithçka është në rregull”, shtoi ai.

Sulejmani ishte i shtrirë thuajse për dy javë. Pasi kreu kontrollimet mjekësore, ai gradualisht nisi të kthehet në formën e tij. Kundër skuadrës së Schalkes (0-1), ai ishte në ekip për herën e parë në pesë javë, në mes të muajit tetorit. Ndërsa, në Duesseldorf (1-1), Sulejmani luajti vetëm katër minuta. Familja thotë se i ka ndihmuar shumë sulmuesit të Hannoverit gjatë kohës së vështirë. Të njëjtën dashuri ua kthen edhe vetë Valmiri atyre. Për shkak të prindërve të tij, ai u kthye në shtëpi në Gailhof.

Edhe Sulejmani pret kthimin në Bundesligë dhe te Kosova Sport Sulejmani pret kthimin në Bundesligë dhe te Kosova

“Nëna dëshironte të jetoja me ta”, thotë Valmiri, i cili u transferua te Hannoveri nga Mannheimi në vitin 2020. “Ajo më tha që sa jam unë këtu, edhe ti duhet të jesh me ne”.

Sulejmani aktualisht po përkujdeset për gjyshin e tij, Sahitin 82-vjeçar, që është në vizitë në Gjermani nga Kosova.

“Ai është modeli im se si duhet të jem”, thotë ai, teksa e mban në telefon një fotografi së bashku me të, por kur ishte fëmijë dhjetëvjeçar. Derisa po e pastronte shtëpinë, Sulejmani e gjeti një fanellë të vitit 2005 që i takonte vitit të tij të parë te Hannoveri.

Ishte vetëm nëntëvjeçar atëherë. Në vitin 2013, në moshën 17-vjeçare, Sulejmani bëri debutimin e tij me ekipin e parë të Hannoverit. Nëpër mediumet gjermane, në atë kohë, Sulejmani u vlerësua si “bomber” apo makineri e golave. Pas dy viteve të kaluara në Mannheim, Sulejmani është kthyer në klubin e tij të zemrës.

Edhe Gola të lojtarëve që synojnë ftesën e Kosovës Sport Gola të lojtarëve që synojnë ftesën e Kosovës

“Ky klub do të thotë shumë për mua”, ka nënvizuar Sulejmani 25-vjeçar, kontrata e të cilit skadon në fund të këtij sezoni.

Megjithatë, ai ende nuk e ka gjetur formën më të mirë të mundshme. Për këtë, Sulejmani është duke punuar shumë. E synimi i tij është të kthehet në titullar të skuadrës së Hannoverit, që bën gara në Bundesligën 2. Ai deri më tani, ka katër paraqitje në të gjitha garat. Sulejmani u vlerësua shumë nga mediat në Gjermani, ndërsa ra në sy në një fitore të skuadrës së tij 16:1 në Ankum, ku shënoi pesë gola. Pesë gola i kishte shënuar vetëm me grupmoshën U-14. Paraqitjet e tij të mira bënë që ai të ftohej nga Gjermania U-17 ku luajti në pesë ndeshje. Me Shqipërinë U-21 luajti një ndeshje përpara se t’i bashkohet Kosovës U-21. Me këtë grupmoshë, Sulejmani ka katër paraqitje, kurse me Përfaqësuesen A të Kosovës, ai ka luajtur në tri ndeshje.