Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Suksesi në Shkup i vëllezërve Bajoku, kompensim i vogël për mbetjen jashtë Botërorit

Në fund të muajit të shkuar boksierëve të Kosovës nuk iu lejua hyrja në Serbi për të marrë pjesë në Botërorin, që u mbajt në Beograd.

Në një tjetër vend fqinj, Maqedoni të Veriut, boksierët më të dalluar të vendit u mirëpritën dhe arritën suksese.

Ekipi i Kosovës në boks ka fituar disa medalje në turneun ndërkombëtar “Gongu i Artë”, që u mbajt në Shkup. Dy prej tyre ishin të arta, të fituara nga vëllezërit Shpejtim e Bashkim Bajoku. Ky i fundit u vlerësua “boksieri më luftarak” i turneut, që as për së afërmi nuk e ka nivelin e garës, ku vëllezërit Bajoku nuk u lejuan të marrin pjesë, pra në Botërorin në Beograd. Për boksierët kosovarë ishte gara e parë pas diskriminimit që iu bë nga shteti serb.

Image

Shpejtimi dhe Bashkimi thonë se suksesi i arritur në Shkup është motiv shtesë për suksese edhe më të mëdha.

“Ishim të dëshpëruar që nuk na lanë të marrim pjesë në Botëror, ndërsa ne ishim të përgatitur maksimalisht dhe të motivuar për të arritur suksese si në Beograd, ashtu edhe në Shkup. Në Shkup udhëtuam me motiv të madh, pas dëshpërimit dhe për t'i treguar botës se jemi edhe ne sportistë me potencial. Synimi është të mos ndalemi me kaq dhe me punë edhe sukseset e tjera nuk do të na mungojnë. Jemi të vendosur për të korrur suksese në arenën ndërkombëtare. Ëndrra e madhe është medalja në Olimpiadë. Por për të arritur këtë sukses sigurisht që nuk mjaftojnë vetëm duart tona, por edhe dora e shtetit”, ka thënë për KOHËN të dielën Shpejtim Bajoku, aktualisht i vlerësuar boksieri më i mië në vend.

Rruga deri te medaljet në turneun tradicional ishte e shkurtër për vëllezërit Bajoku, ashtu si për boksierët e tjerë. Turne “Gongu i Artë” nuk e ka më madhështinë që e kishte dikur.

Edhe Bajoku i dëshpëruar, i shtyhet ëndrra për të boksuar në Botëror Sport Bajoku i dëshpëruar, i shtyhet ëndrra për të boksuar në Botëror

Shpejtim Bajoku u kualifikua direkt në finale në kategorinë deri 67 kilogramë. Ai në finale fitoi ndaj boksierit nga Irlanda, Wayne Kelly. Irlandezi dorëzoi luftën në raundin e dytë. Bashkim Bajoku në gjysmëfinale të kategorisë deri 54 kilogramë mundi boksierin nga Irlanda, Jake Wayne Rapple, dhe në finale boksierin nga Ukraina, Rostyslav Bilostotskyi.

Edhe Bashkim Bajoku insiston se motivi ka qenë i madh për të shkëlqyer në Shkup, pas diskriminimit që u është bërë nga Serbia. Delegacioni i Kosovës bëri tri përpjekje për të hyrë në territorin e Serbisë, por pa sukses.

“Dëshpërimi ka qenë i madh te ne boksierët, që nuk na u lejua pjesëmarrja në Botërorin e Beogradit. Por, pas pushimit që patëm, gjetëm motivin për t’u ngjitur në ring dhe ia dolëm të fitojmë medalje. Jam shumë i lumtur me këtë sukses dhe sigurisht se nuk do të jetë edhe i fundit. Ne kemi qenë të përgatitur për të marrë pjesë edhe në Beograd, por aty na u mohua pjesëmarrja. Kemi pasur gjasa të mira për të fituar medalje, por do të ketë ngjarje të tjera të mëdha ku ne do të mund t’i dëshmojmë vlerat tona. Do të bëjmë përpjekje maksimale që Kosovës t’i sigurojmë medalje nga ndonjë ngjarje e madhe. Jemi të angazhuar maksimalisht për t’u ngjitur në majat e boksit botëror”, ka theksuar Bashkim Bajoku.