Ushtrimet gjithmonë i zhvillojnë së bashku. Edhe titujt i fitojnë bashkë.
Vëllezërit Bajoku, njëri 21 e tjetri 20-vjeçar, në maj të vitit të kaluar fituan medaljet e arta në kampionatin ballkanik të boksit që u mbajt në Zagreb. Krahas kësaj, vëllai i madh, Shpëtimi, u shpall edhe boksieri i vitit 2021 në Kosovë.
Klubi i boksit “Gollaku”, është vendi ku ata ushtrojnë prej kohës kur ishin fëmijë, dhe vendi ku ata janë rritur jashtëzakonisht shumë në aspektin profesional.
Trajneri i këtij klubi, Besim Brahimi, i cili ka qenë me djemtë që nga dita e parë, tregon se si ata kanë filluar stërvitjet në këtë klub dhe ka fjalë të mëdha për dy kampionët.
Për Shpëtimin, është nder që ka arritur të fitojë çmime duke i mbrojtur ngjyrat e vendit të tij, Kosovës, dhe shpreson që në të ardhmen të bëhet kampion evropian dhe botëror.
Për vëllanë e vogël, Bashkimin, triumfi në kampionatin ballkanik ka qenë edhe më special, sepse në finale ai u përball me një boksier serb, të cilin e mposhti pa shumë problem.
Edhe
Bajoku i dëshpëruar, i shtyhet ëndrra për të boksuar në Botëror
Sukseset e njëri-tjetrit, dy vëllezërit i shohin si krenari dhe aspak nuk kanë inate dhe xhelozi mes vete, përkundrazi, ato shërbejnë si pikë motivuese që të punojnë fort dhe të fitojnë çmime të ndryshme.
Ndonëse sporti duhet të jetë i ndarë nga politika, vëllezërit Bajoku dhe boksierët e tjerë nga Kosova në tetor të vitit të kaluar nuk mundën të merrnin pjesë në kampionatin botëror të boksit në Beograd. Atyre iu ndalua hyrja në Serbi, sepse u kërkua nga ta që t’i hiqnin simbolet shtetërore, gjë që ata nuk pranuan. Trajneri Brahimi rrëfen se si ndodhi ngjarja dhe pohon se përveç dëshpërimit, ata ndihen krenarë që nuk i larguan simbolet e shtetit të Kosovës.
Djemtë po vazhdojnë stërvitjet dhe përgatitjet e tyre për kampionatin e Mesdheut në Algjeri, që pritet të fillojë në fund të këtij muaji, por synimi i tyre kryesor janë Lojërat olimpike “Paris 2024”.