Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Steven Gerrard vetizolohet, nuk udhëton në Armeni

Trajneri i Rangersit, Steven Gerrard, është vetizoluar dhe do të mungojë në ndeshjen kthyese kundër Alashkertit të enjten, pasi klubi konfirmoi përhapjen e madhe të koronavirusit brenda skuadrës. Kapiteni James Tavernier, Ryan Kent, Scott Wright, Calvin Bassey dhe portierët Allan McGregor dhe Jon McLaughlin, po ashtu nuk kanë udhëtuar në Armeni.

Rangersi udhëheq 1:0 nga ndeshja e parë në plejofin e rëndësishëm për fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Rangersi do të ketë ndeshje të vështirë edhe të dielën kundër Celticut, që shënon derbin e parë të sezonit në elitën e futbollit skocez. Skuadrën të enjten në Armeni do ta udhëheqë asistenti Gary McAllister.

“Sky Sports News” mëson se klubi mund të bëj kërkesë që ta shtyjë ndeshjen e ligës për shkak të përhapjes së Covid-19 në skuadër. “Rangersi mund të konfirmojë se pas testeve kemi marrë rezultate pozitive të Covid-19. Ata që janë të infektuar janë në vetizolim bashkë me kontaktet e afërta të tyre”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e klubit.