Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Sportit Total” në sezonin e ri me shumë risi

Sezoni i ri i emisionit qendror të sportit në Kohavision “Sporti Total”, do të rinisë të dielën me shumë ndryshime, duke nisur nga studio, mysafirët e deri te storiet e veçanta.

Temë diskutimi me mysafirët në studio do të jenë dy ndeshjet e ardhshme të Kosovës, kundër Moldavisë më 3 shtator në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma të Italisë, dhe ndaj Greqisë më 6 shtator në arenën “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Do të zbulohet e vërteta e mungesës së sulmuesit kryesor të Kosovës, Vedat Muriqit, dhe e Edon Zhegrovës.

Do të flitet edhe për mosardhjen e disa lojtarëve për të cilët Federata e Futbollit e Kosovës kishte paralajmëruar se e kanë pranuar ftesën e Kosovës. Do të shtjellohen edhe problemet me të cilat mund të ballafaqohet Përfaqësuesja shkaku i pandemisë, ku shumë lojtarë mund të kenë probleme me karantinim pas kthimit në shtetet evropiane ku ata luajnë.

Në hapje të edicionit të ri do të flitet edhe për Kosovën U21, e cila më 4 shtator në Prishtinë do të përballet me Anglinë. Edhe te U21 janë shfaqur probleme për ardhjen e disa lojtarëve të cilët luajnë në klubet e ndryshme në Evropë. Pjesë e debatit në studio do të jenë edhe klubet kosovare dhe paraqitja e tyre në arenën ndërkombëtare, e me theks të veçantë do të diskutohet për anulimin e ndeshjeve shkaku i rasteve pozitive me COVID-19. “Sporti Total” do të transmetohet direkt në Kohavision çdo të diel nga ora 22:15.

Artikuj të ngjashëm