Emisioni sportiv në Kohavision, “Sporti Total”, këtë javë do t‘i kushtohet Superligës së Kosovës në futboll. Futbolli kosovar vazhdon të zhvillohet me orar të ngjeshur. Pas ndeshjeve në mesjavë, në këtë të diel do të vijnë të përmbledhura të gjitha raportet e ndeshjeve.
Emisioni i përjavshëm në Kohavision nis në orën 22:15. Vëmendje e madhe do t‘i kushtohet edhe ndeshjeve derbi që do të luhen gjatë fundjavës. Do të ketë edhe të ftuar në studio për t’i analizuar të gjitha ndeshjet e xhiros së gjashtë.
Analisti i rregullt, Erdin Hashani, dhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina, janë dy prej mysafirëve e me të cilët do të flitet për rezultatet e dobëta të klubit që drejton Batatina, e që mbetet skuadër që përkundër shumë përforcimeve, nuk ka arritur ende të fitojë asnjë ndeshje të këtij edicioni.
Në “Sporti Total” do të flitet, po ashtu, edhe për kthimin në gara të xhudistëve elitarë të Kosovës, për sukseset e tyre dhe synimet në të ardhmen. Do të ketë edhe rrëfime interesante nga sporti vendor e po ashtu edhe të gjitha rezultatet e ndeshjeve të sporteve të tjera, basketboll, hendboll dhe volejboll. “Sporti Total” do të ketë në përmbajtje edhe raportet e ndeshjeve derbi të ligave më të mëdha në Evropë, La Liga, BundesLiga, Premier League, Seria A. Do të ketë edhe raportim për golat e shqiptarëve në klubet e ndryshme të Evropës e që numri i tyre nuk është i vogël.