Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Sporti Total” me zhvillimet e fundit në futboll

Ndeshjet e përfaqësueseve të Kosovës në futboll, A dhe U21, do të jenë temë diskutimi në edicionin e radhës të “Sportit Total” në Kohavision, i cili transmetohet çdo të diel.

Katër mysafirë në studio do të analizojnë në detaje paraqitjet e Kosovës. Fokus i veçantë do t’i kushtohet ndeshjes së Kosovës A ndaj Sllovenisë, e cila do të zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kjo ndeshje është e vlefshme për Ligën e Kombeve. Do të ketë lidhje direkte nga stadiumi i kryeqytetit, ku do të pasqyrojmë konferencën për media, si dhe deklaratat e lojtarëve pas ndeshjes.

Do të flitet edhe për ndeshjen gjysmëfinale ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që u zhvillua në Shkup e në të cilën Kosova humbi me rezultat 2:1. Me këtë u shua ëndrra për kualifikim në Kampionatin Evropian.

Po ashtu të pranishmit do të flasin edhe për ndeshjen e radhës që Kosova do ta luajë kundër Greqisë në Athinë, më 14 tetor. Do të debatohet edhe për Kosovën U21, e cila në stadiumin “Fadil Vokrri” luan ndaj Austrisë U21. Nga mysafirët e pranishëm do të bëhet analiza e këtij takimi si dhe parashikimi i ndeshjes kundër Andorrës më 13 tetor, që po ashtu luhet në Prishtinë.

Në pjesën e dytë të “Sportit Total” shikuesit do të mund të ndjekin storie të veçanta nga sporti vendor. Kurse krejt në fund, golat nga ndeshjet kryesore që do të zhvillohen në kuadër të Ligës së Kombeve.

Emisioni qendror i sportit në Kohavision “Sporti Total” do të transmetohet direkt të dielën, prej orës 22:15 në KTV, TV Arta, në Youtube, si dhe në faqen zyrtare në Facebook – Sporti në KTV.