Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, nuk e ka ndërmend të aplikojë stilin e lojës që e ka veçuar deri më tash - me sulme të pareshtura - kundër Manchester Cityt, të mërkurën në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve në "Anfield Road". Ai beson se skuadra e tij ka aftësi t'i bëjë gjërat e pakëndshme për Cityn e Pep Guardiolas.
Manchester City aktualisht është skuadra më në formë në Evropë. Në Premier Leaguen e Anglisë, City ka gjasa të sigurojë titullin e kampionit qysh në fundjavë në ndeshjen kundër Manchester Unitedit, ndërsa ka fituar tashmë League Cup të Anglisë dhe vlerësohet ndër favoritët për të fituar edhe "Championshin". Por Klopp nuk është i shqetësuar. Ai thotë se sfidat e mëdha e motivojnë më tepër.
Liverpooli është, po ashtu, duke gëzuar formë të mirë, ndërsa po udhëhiqet nga ylli egjiptian Mohamed Salah.
"Të shpresosh të mos pranosh gol kundër Manchester Cityt nuk ka kuptim. Nuk është se ke ndonjë mënyrë për t'u mbrojtur ndaj Cityt. Të duhet një portier fantastik, një mbrojtje fantastike dhe një organizim fantastik për këtë. Ne duhet të jemi në formën tonë më të mirë. Duhet të japim maksimumin. City është ekipi më i mirë në Angli aktualisht, nëse jo edhe në Evropë. Është ndeshje e madhe për ne. Triumfi ndaj Manchester Cityt është punë e madhe”, ka thënë Klopp.
“Ne duam të shkojmë sa më larg të jetë e mundur në garë dhe është e qartë se duhet të përballemi me skuadrat më të mira në botë. Më pëlqejnë detyrat e vështira. Për një trajner është më interesante. Është mundësi e madhe dhe do të provojmë të bëjmë çdo gjë për të pasur sukses. Unë kurrë nuk e mposhti Pep Guardiolan, është gjithmonë skuadra ime që mposht atë të Guardiolës. Është gjithmonë e mundur të mposhtësh skuadrën më të mirë, por vetëm nëse punon fort dhe mençur", ka thënë Klopp në konferencën për media.
Kjo do të jetë përballja e parë ndërmjet Manchester Cityt e Liverpoolit në garat evropiane. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).