Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, nuk dëshiron të shkojë për t’u mbrojtur në ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës së Manchester Cityt.
Edhe pse ka fituar 3:0 ndeshjen e parë çerekfinale në Ligën e Kampionëve, Klopp qëndron me këmbë në tokë dhe kërkon përqendrim nga skuadra e tij për sfidën e kthimit duke theksuar se Liverpooli nuk është skuadra favorite për të kaluar tutje.
Sipas gjermanit, Liverpooli i tij në Etihad do të shkojë me një synim të vetëm për të luajtur ashtu si në ndeshjen e parë dhe për të kërkuar fitoren.
“Manchester City është një skuadër fantastike, por edhe ata janë njerëz”, ka thënë Klopp. “Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe të luajmë mirë sepse ndaj Manchester United të shtunën ata mund të kishin shënuar pesë apo gjashtë gola vetëm në pjesën e parë. Ne duhet të mbrohemi mirë ashtu si në pjesën e dytë në Anfield Road. Do të luajmë për ta fituar takimin dhe jo për të mbrojtur avantazhin e ndeshjes së parë”.