Spartaku i Moskës e ka pranuar me keqardhje vendimin e UEFA-s dhe FIFA-s, që kanë pezulluar dhe përjashtuar të gjitha klubet dhe përfaqësueset e Rusisë nga garat ndërkombëtare. Me këtë vendim, Spartaku është eliminuar nga Liga e Evropës, ndonëse ishte në short për 1/8 e finales dhe është dashur të luante në këtë fazë me Leipzigun. Ndeshja e parë ishte parashikuar të luhej më 10 mars kurse ajo e kthimit pas një javë.
Me eliminimin e Spartakut, Leipzigu është kualifikuar në çerekfinale të kësaj gare pa lojës.
“Vendimi i FIFA-s dhe UEFA-s, natyrisht që na mërziti, edhe pse ishte i pritshëm. Fatkeqësisht përpjekjet e skuadrës sonë në këtë short të Ligës së Evropës u anuluan për arsye që nuk janë sportive. Spartaku ka miliona tifozë jo vetëm në Rusi, por në të gjithë botën. Sukseset dhe dështimet tona bashkojnë njerëzit nga dhjetëra vende të ndryshme edhe në kohët më të vështira, kështu që, sporti nga pikëpamja e klubit duhet të ndërtojë ura, e jo t'i rrënoj”, thuhet në njoftimin e ekipit elitar të Rusisë. “Është marrë një vendim tjetër, me të cilin ne nuk jemi dakord, por jemi të detyruar t'i bindemi. Spartaku do të fokusohet te ecuria në kampionatin e Rusisë dhe Kupën e vendit. Ne mezi presim të arrijmë paqen për të cilën të gjithë ka nevojë sa më shpejt të jetë e mundur”.