Federata e Futbollit të Rusisë ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) për të apeluar ndaj vendimit për suspendim të ekipeve dhe përfaqësueseve ruse. Vendimin për suspendim e morën Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), si dhe Konfederata Evropiane (UEFA), pas pushtimit rus të Ukrainës.
Vendimi u mor të hënën, ndërsa është në fuqi deri në një njoftim tjetër.
Ndërkohë, të enjten, Federata e Futbollit e Rusisë ka thënë se do të ngrejë padi ndaj organeve drejtuese botërore dhe evropiane të futbollit, duke kërkuar që ekipet përfaqësuese të meshkujve dhe femrave të Rusisë të lejohen të garojnë.
Rusia dëshiron që ekipi nacional i saj të luajë në plejofin për kualifikim në Botërorin “Katari 2022”, dhe që futbollistët e Rusisë të përfshihen sërish në Evropianin që në verë mbahet në Angli.
Ndeshjet e plejofit luhen më vonë këtë muaj.
Klubi rus, Spartak Moska, po ashtu, është larguar nga Liga e Evropës. Spartaku është dashur të takohet me RB Leipzigun në fazën nokaut, por skuadra gjermane ka kaluar pa lojë në çerekfinale.
Edhe
CAS-i refuzon apelin e Rusisë
Në një deklaratë të Federatës së Futbollit të Rusisë thuhet se “FIFA dhe UEFA nuk kanë pasur bazë ligjore për largimin e ekipeve ruse”.
Vendimi i FIFA-s dhe UEFA-s për pezullim të menjëhershëm të ekipeve dhe përfaqësueseve ruse erdhi pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar rekomandoi që sportistët e Rusisë të largohen nga garat ndërkombëtare.