Ndeshja miqësore ndërmjet Spanjës dhe Shqipërisë që do të zhvillohet në muajin mars, do të luhet në stadiumin “RCDE” të skuadrës së Espanyolit, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).
Ky stadium është në Barcelonë dhe ka një kapacitet prej 40 mijë ulësesh. Kjo miqësore ishte caktuar më herët por nuk ishte konfirmuar stadiumi dhe ora e ndeshjes. Sipas FSHF-së, ky duel do të nis në orën 19:00.
Miqësorja mes Spanjës e Shqipërisë do të luhet më 26 mars dhe do të jetë ndeshja e parë e “kuqezinjve” për këtë vit. Ndërsa, tre ditë më vonë, Shqipëria do të luajë edhe miqësoren tjetër, atë me Gjeorgjinë. Kjo ndeshje do të luhet në Shqipëri por ende nuk është caktuar stadiumi dhe ora e saj.
“Këto miqësore zhvillohen në kuadër të përgatitjes së kombëtares shqiptare për ndeshjet e grupit në Ligën e Kombeve, që startojnë në muajin qershor. Trajneri Edoardo Reja do të ketë mundësinë që të testojë lojtarët dhe ekipi kuqezi pas thuajse 4 muajsh nga ndeshja e fundit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FSHF-së.