Futbollistet e Spanjës kanë shënuar edhe fitoren e dytë në po aq ndeshje të zhvilluara në fazën e grupeve të Kampionatit Botëror. Të mërkurën, Spanja triumfoi me rezultatin e thellë 5:0 ndaj Zambisë, në ndeshjen e luajtur në kuadër të Grupit C.
Me këtë fitore, Spanja është lidere e grupit me 6 pikë, sa i ka edhe Japonia, e cila mposhti Kosta Rikën me shifrat 2:0, po ashtu të mërkurën.
Edhe për Kosta Rikën, kjo ishte humbja e dytë në po aq ndeshje të luajtura në fazën e grupeve.
Si Kosta Rika, ashtu edhe Zambia ndajnë dy pozitat e fundit në grup pa pikë.
Në xhiron e tretë të këtij grupi, do të zhvillohet derbi ndërmjet Japonisë dhe Spanjës, duel ky që luhet të hënën e ardhshme. Të dyja kanë siguruar plasmanin në raundin tjetër, ndërsa do të diskutohet vetëm pozita e parë.