Spanja hyn në ndeshjet e saj vendimtare kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022” kundër Greqisë dhe Suedisë pa disa lojtarë kyç për shkak të lëndimeve. Nëntë lojtarë nuk janë në dispozicion të përzgjedhësit Luis Enrique për ndeshjet në Greqi të enjten dhe kundër Suedisë të dielën.
Spanja në këto duele futet nga pozita e dytë në Grupin B, dy pikë prapa Suedisë dhe katër përpara Greqisë së vendit të tretë. Vetëm fituesit e grupeve kualifikohen për turneun e vitit të ardhshëm në Katar, ndërsa vendet e dyta do të duhet të luajnë në ndeshjet e plejofit.
Pedri Gonzalez, Ferran Torres dhe Marcos Llorente, të cilët ndihmuan për ta çuar Spanjën deri në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian disa muaj më parë, janë ndër ata që nuk mund të thirreshin nga përzgjedhësi Luis Enrique. Gjithashtu nga skuadra e “Euro 2020” mungojnë edhe Gerard Moreno, Mikel Oyarzabal dhe Eric Garcia. Qendërmbrojtësi Garcia u lëndua teksa luante për Barcelonën në ligën spanjolle, ashtu sikurse edhe sulmuesi i ri Ansu Fati, i cili po kthehej në kombëtare pas një mungese të gjatë për shkak të një dëmtimi tjetër. Yeremi Pino ishte një tjetër lojtar që u dëmtua dhe u desh të zëvendësohej pas ftesës që kishte marrë nga Enrique.
“Nuk duhet të mendojmë për mungesat që i kemi, pasi duhet të vazhdojmë përpara dhe të përpiqemi të sigurojmë vendin e parë në grup. Kjo është shumë e rëndësishme”, tha Enrique.
Megjithatë, Enrique ishte në gjendje të kthente disa nga lojtarët që i munguan në ndeshjet e muajit të shkuar për shkak të lëndimeve, përfshirë këtu Pau Torresin, Jose Luis Gayan, Jordi Alban, Alvaro Moratan dhe Dani Olmon. Dy fitore do t'i mjaftojnë Spanjës për të përfunduar e para në grupin e saj dhe për t'u kualifikuar direkt në Botërorin e vitit të ardhshëm, pa u varur nga rezultatet e tjera. Një barazim kundër Greqisë të enjten në Athinë (20:45) do të garantojë të paktën një përfundim në vendin e dytë në grup, i cili do ta dërgonte Spanjën në plejof kundër nëntë nënkampionëve të grupeve tjera dhe dy fituesve të grupeve nga Liga e Kombeve. Të 12 përfaqësueset do të përfshihen në tre grupe me nga katër skuadra dhe do të luajnë në muajin mars të vitit të ardhshëm. Një fitore e Suedisë në udhëtim te Gjeorgjia e vendit të katërt të enjten prej orës 18:00, dhe një barazim eventual i Spanjës kundër Greqisë do të siguronte vendin e parë në grup për suedezët. Spanja është kualifikuar në çdo Kampionati Botëror që nga viti 1978, duke fituar titullin e saj të vetëm në vitin 2010 në turneun e mbajtur Afrikën e Jugut. Ndërkohë, në Botërorin e fundit, të mbajtur në vitin 2018 në Rusi, Spanja është eliminuar në 1/8 e finales nga përfaqësuesja nikoqire.
“Nuk mund ta imagjinoj një Kampionat Botëror pa Spanjën”, tha mesfushori ofensiv i skuadrës së Milanit, Brahim Diaz. “Ne i kemi dy finale përpara dhe ne duhet patjetër t'i fitojmë ato. Ne duam kualifikimin direkt në Botëror dhe do të bëjmë të pamundurën për ta siguruar”.