Sot luhet ndeshja miqësore mes Kosovës dhe Suedisë.
Pak orë para fillimit të ndeshjes, trajneri i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli në një prononcim për KosovaPres tha se kjo ndeshje duhet të shfrytëzohet nga lojtarët e ftuar nga përzgjedhësi Bernard Challandes, të cilët vijnë nga Superliga.
Sipas tij djelmoshat nga Kosova mund ta shfrytëzojnë këtë ndeshje për të rënë sy të ndonjë menaxheri ku do ta kishin më lehtë futjen e tyre në tregun ndërkombëtar.
“Ballafaqimi i sotëm ka për qëllim të testohet numri i futbollistëve që nuk kanë pasur rast të paraqiten gjatë garave të kualifikimit. Njëkohësisht t’i ofrohet mundësia një numri të futbollistëve të jenë pranë menaxherëve të cilët mund t’iu ndihmojnë në plasimin e tyre në tregun ndërkombëtar”, tha Sokoli.
Ai gjithashtu e cilëson ftesën e Challandes si një motiv të madh për futbollistët dhe sipas tij Kosova duhet të zhvillojë sa më shumë ndeshje të këtij lloji.
“Ftesa është një motiv për të gjithë futbollistët që janë ftuar dhe që pritet të ftohen në ndonjë rast tjetër. Këto ndeshje janë të karakterit kontrollues dhe kishte me qenë mirë të ketë sa më shumë ndeshje të këtij lloj”, shtoi ai.
Edhe
Kosova gati për ndeshjen në Suedi, pritet përkrahja nga tribunat
Sipas Sokolit është kompetencë e Challandes se kë ta ftojë ose jo.
“Unë mendoj që është në kompetence të përzgjedhësit se kë e fton, ndërsa nëse ndonjë futbollist nuk është ftuar në këtë rast me siguri do të ftohet herën tjetër, në ndeshjet tjera të radhës”, përfundoi Sokoli.
Kujtojmë që ndeshja mes Kosovës dhe Suedisë zhvillohet sot nga ora 15:45, në Doha të Katarit, aty ku Kosova është duke qëndruar tash e 6 ditë.