Kombëtarja e Kosovës në futboll sot do të luajë ndeshjen e parë të vitit 2020, në Doha të Katarit, ku për kundërshtar do ta ketë Suedinë.
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes për këtë ndeshje ka ftuar një numër të madh të lojtarëve nga Superliga e Kosovës, për t’i provuar dhe për të parë nga afër edhe formën e tyre.
Mirëpo, analisti i mirënjohur kosovar, Erdin Hashani, në një prononcim për KosovaPress, u shpreh se ftesat e lojtarëve të Superligës nga Challandes i sheh më shumë si ftesa për t’ua mbyllur gojën kritikëve.
“Unë mendoj që janë më shumë ftesa për t’ua bërë qejfin të gjithë atyre që kanë akuzuar ose janë ankuar se pse nuk po ftohen lojtarë të Supërligës, edhe këtë e ka bërë pak a shumë për t’ua mbyllur gojën atyre sepse pak a shumë Challandes lojtarët e Superligës të cilët e kanë merituar shpeshherë edhe i ka grumbulluar”, tha fillimisht Hashani.
Sipas tij janë vetëm dy futbollistë nga Superliga të cilët e kanë merituar të ftohen nga Challandes, dhe me plot meritë gjenden në grumbullimin e Kosovës në Doha.
“Secili trajner e ka filozofinë e lojës së vet, secili trajner i do karakterestikat e lojtarëve ndryshe, kështu që ai mendon që këtë e kanë merituar dhe i ka zgjedh dhe sipas tij është lista më e mirë e mundshme. Deri sot ky njeri që e ka sjellë Kosovën deri këtu, që të diskutohet për Kosovën atëherë të gjithë e meritojnë sepse ky ka pasur sukses dhe tashmë ka të drejtë përderisa ka sukses. Por me plot mëritë dua t’i cekë dy futbollistë të cilët me të vërtetë e meritojnë grumbullimin të cilët janë Visar Bekaj dhe Armend Thaqi”, shtoi ai.
Edhe
Hashani: Pres që Kosova në këtë grup t’i merr maksimalisht shtatë pikë
Sa i përket ndeshjes, Hashani u shpreh se mendon që rezultati i kësaj ndeshje është në plan të dytë për të dy trajnerët e të dyja kombëtareve.
“Mendoj që në plan të dytë është për dy kombëtaret rezultati i kësaj ndeshje. Sipas meje primare do të jetë t’i shohin futbollistët të cilët nuk munden me i grumbullu kur janë datat për miqësore. Mendoj që më shumë do të shikojnë këta futbollistë si alternativa për pozicione të ndryshme”, përfundoi Hashani.
Kujtojmë që ndeshja mes Kosovës dhe Suedisë fillon nga ora 15:45.