Një ditë pasi u njoftua se Daley Blind ka shkëputur kontratën me Ajaxin, interesim për shërbimet e tij ka shprehur Real Sociedadi. “AS” raporton të mërkurën se Sociedadi gjatë këtyre ditëve do ta kontaktojë mbrojtësin holandez për ta bindur që të transferohet në Spanjë.
Blind po shihet si përforcim i madh për mbrojtjen e ekipit spanjoll, i cili është i gatshëm t’i ofrojë kontratë deri në fund të këtij sezoni me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.
32-vjeçari në janar mund t’i bashkohet Sociedadit si lojtar i lirë kur edhe do të përshëndetet nga Ajaxi. Ai u rikthye tek Ajaxi për herën e dytë në vitin 2018 dhe këtë edicion pati 23 paraqitje në të gjitha garat. Blind ka bërë karrierë edhe te Manchester Unitedi, ndërsa në Kupën e Botës “Katari 2022” pati një gol e një asistim në pesë ndeshje për Holandën.