Reprezentuesi i Holandës, Daley Blind më nuk është lojtar i Ajaxit. Klubi nga Amsterdami ka njoftuar të martën se ka ndërprerë bashkëpunimin me Blindin para kohe.
Edhe pse atij i skadonte kontrata në fund të këtij sezoni, Ajaxi me marrëveshje të dyanshme ka vendosur t’ia shkëpusë në fund të këtij muaji.
Detajet e shkëputjes së kontratës nuk janë bërë të ditura, por Ajaxi ka falënderuar Blindin për angazhimin e tij në klub.
“Ditëve të fundit kemi arritur marrëveshje me Blindin për t’ia shkëputur kontratën. Shpresoj që ai të jetë në gjendje të gjejë një klub tjetër për ta mbyllur karrierën e suksesshme”, ka thënë drejtori i Ajaxit, Edwin van der Saar.
Blind, 32-vjeçar është produkt i akademisë së Ajaxit, ndërsa me ekipin pati debutuar në vitin 2008, përpara se t'i bashkohej Manchester Unitedit. Ai u rikthye tek Ajaxi në vitin 2018.