Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sllovenët presin ndeshje të vështirë kundër Kosovës

Përfaqësuesja e Sllovenisë po vazhdon përgatitjet para dy ndeshjeve të rëndësishme në kuadër të Ligës së Kombeve, me Kosovën dhe Greqinë, që do t’i luajë gjatë këtij muaji. Te Sllovenia insistojnë se do të jenë të gatshëm për të dyja duelet, që i vlerësojnë si të vështira.

Në veçanti sllovenët të vështirë e shohin përballjen me Përfaqësuesen e Kosovës, të cilën do ta kenë më 15 nëntor në stadiumin “Stozhice Sports Park”.

Në fakt Sllovenia në këtë stadium do ta luajë edhe miqësoren me Azerbajxhanin të mërkurën, që do të jetë si parapërgatitje për duelin me Kosovën. Dueli i parë ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, i luajtur muajin e shkuar në stadiumin “Fadil Vokrri”, është mbyllur me fitoren minimale të sllovenëve (1:0). Sllovenia i prin grupit 3 të Ligës C të Ligës së Kombeve me dhjetë pikë. Pozitën e parë dëshiron ta mbajë edhe pas ndeshjeve me Kosovën e Greqinë, që janë të fundit për edicionin e dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Kosova është e treta në grup me dy pikë të mbledhura, gjashtë më pak se Greqia që renditet në pozitën e dytë derisa pozitën e fundit e mban Moldavia me vetëm një pikë.

Në stërvitjen e ditës së martë, Sllovenisë i janë bashkuar edhe Jan Oblak, Haris Vukçiq, Benjamin Verbiq, Andrazh Shporar e Adam Gnezda Çerin, që munguan në stërvitjen e parë për shkak të angazhimeve ndaj klubeve të tyre. I rikthyeri te Sllovenia, mesfushori Miha Zajc, që mungoi muajin e shkuar për shkak se ishte i infektuar me koronavirus, ka thënë se beson se sllovenët do të vazhdojnë me fitore sikurse në tri ndeshjet e fundit. Megjithatë, ai ka pranuar se me Kosovën nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë për faktin se “Dardanët” këtë herë janë më të kompletuar se muajin e shkuar kur patën mungesa të shumta për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.

“Ekipi ka luajtur mirë në ndeshjet e fundit dhe jam i lumtur që jam rikthyer pas mungesës së detyrueshme muajin e shkuar. I kemi para vetes dy ndeshje të vështira, me Kosovën dhe Greqinë, rivalë me të cilët tashmë jemi përballur në kuadër të Ligës së Kombeve. E njoh sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi, me të cilin kam luajtur te Fenerbahçe dhe mund të them se është një lojtar shumë cilësor dhe i rëndësishëm për ekipin. Kështu që fitorja e fundit ndaj Kosovës nuk do të thotë asgjë për ne pasi këtë herë na pret një ndeshje krejtësisht tjetër dhe shumë e vështirë që shpresoj ta fitojmë”, është shprehur Zajc, që këtë edicion është pjesë e ekipit italian Genoa.

Krahas mesfushorit Zajc, te Sllovenia këtë muaj janë kthyer edhe disa lojtarë të tjerë pas një mungese paksa më të gjatë. Bëhet fjalë për mesfushorin Domen Çrnigoj dhe sulmuesin Josip Iliçiq, i cili për një periudhë ishte në depresion shkaku i situatës së krijuar nga koronavirusi në Itali. Ai është pjesë e skuadrës nga Serie A, Atalanta. Edhe Çrnigoj sikurse Zajc ka vlerësuar lart ekipin e përzgjedhësit Bernard Challandes, por ka shtuar se synimi i Sllovenisë është të marrë pikët e plota në dy ndeshjet e fundit për të përfunduar në pozitën e parë në grup që garanton promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve për edicionin e ardhshëm.

“Synimi është të përfundojmë të parët në grup dhe duhet të vazhdojmë me fitore edhe në këto ndeshje të rëndësishme. Mirëpo fillimisht fokusi është te dueli me Kosovën, që është një ekip shumë i fortë dhe më i kompletuar se në ndeshjen e fundit. Mbi të gjitha jam i lumtur për rikthimin tim në ekip pas një kohe të gjatë dhe shpresoj të ndihmoj në arritjen e synimeve”, tha Çrnigoj.

Ditë më parë, edhe përzgjedhësi i Sllovenisë, Matjazh Kek i ka vlerësuar ndeshjet me Kosovën dhe Greqinë si shumë të rëndësishme duke shtuar se duhet të japin më të mirën nga vetja për t’i arkëtuar gjashtë pikë. Kosova tri ditë pas ndeshjes me Slloveninë, në Prishtinë e pret Përfaqësuesen e Moldavisë

Artikuj të ngjashëm