Selektori i futbollisteve të Spanjës, Jorge Vilda është shkarkuar dhe Federata e Futbollit të Spanjës (RFEF), ka kërkuar falje për sjelljen e Luis Rubialesit në Botërorin e mbajtur në Australi dhe Zelandë të Re. Vilda e ka mbajtur postin e selektorit prej vitit 2015. Shkarkimi i Vildas është zhvillimi më i fundit në sagën që ka shpërthyer pasi Rubiales puthi sulmuesen Jenni Hermoso në buzë pas fitores së Spanjës në finalen e Kupës së Botës ndaj Anglisë më 20 gusht. Në një deklaratë të gjatë të lëshuar më shumë se dy javë pasi Rubiales puthi Hermoson gjatë ceremonisë së ndarjestë medaljeve në Sydney dhe presidenti i federatës refuzoi të jepte dorëheqjen, RFEF tani thotë se incidenti ka “njollosur” shoqërinë spanjolle dhe u zotua të përpiqet të “riparoj dëmin”. Mirëpo, federata fajësoi vetëm Rubialesin për formulimin e deklaratave të saj të mëparshme për këtë çështje. FIFA ka pezulluar Rubialesin, ndaj të cilit Prokuroria spanjolle ka nisur procedimin për sulm të mundshëm seksual ndaj Hermosos menjëherë pas fitores 1:0 ndaj Anglisë.
“RFEF konsideron se është thelbësore t'u kërkoj ndjesë të sinqertë institucioneve të futbollit, lojtareve, veçanërisht lojtareve të kombëtares spanjolle dhe kombëtares angleze, të gjithë akterëve të përfshirë në futboll dhe tifozëve në mbarë botën, për sjelljen totalisht të papranueshme të përfaqësuesit më të lartë institucional gjatë finales së Kupës së Botës dhe në momentet që pasuan”, thuhet në deklaratën e RFEF të firmosur nga presidenti i përkohshëm Pedro Rocha. “Ato veprime nuk pasqyrojnë aspak vlerat e gjithë shoqërisë spanjolle, institucioneve të saj, përfaqësuesve të saj, sportistëve të saj dhe drejtuesve të sportit spanjoll. Kjo fisnikëri dhe prestigj ndërkombëtar i shoqërisë dhe i sportit tonë është njollosur ditët e fundit nga veprimet e zotit Luis Rubiales. Dëmi i shkaktuar për futbollin spanjoll, për sportin spanjoll, për shoqërinë spanjolle dhe për vlerat e futbollit dhe sportit në tërësi ka qenë i madh”.
Para pezullimit të Rubialesit nga FIFA, RFEF kishte mbrojtur 46-vjeçarin dhe kishte lëshuar një deklaratë se “provat janë përfundimtare. Presidenti nuk ka gënjyer”, duke iu referuar këmbënguljes së Rubialesit se Hermoso kishte dhënë pëlqimin për puthjen. Megjithatë, të martën RFEF u duk se u distancua nga komentet e mëparshme në lidhje me rastin, duke shtuar: “Për të qenë të qartë, ky qëndrim ishte ai i zotit Rubiales, jo ai i RFEF-it”.