Momente pasi Spanja fitoi Kupën e Botës, njeriu që drejton Federatën e Futbollit të Spanjës ua mori në mënyrë të padëshiruar vëmendjen futbollisteve që po festonin suksesin e madh. Kritikat nga qeveria spanjolle dhe bota e futbollit ranë të hënën mbi presidentin Luis Rubiales për sjelljen e tij të papërshtatshme ndërsa kënaqej me fitoren 1:0 të Spanjës ndaj Anglisë në finalen e së dielës në Sydney të Australisë. Sjellja e tij në skenë nuk ishte aspak e mirë, sidomos puthja në buzë e lojtares Jenni Hermoso gjatë ceremonisë të ndarjes së medaljeve dhe trofeut në fushë. Kjo sjellje e presidentit të federatës, e prishi ditën më të madhe për futbollin e femrave. Puthja ishte “thellësisht e vajtueshme”, tha sindikata botërore e lojtarëve FIFPRO. 45-vjeçari Rubiales drejtoi degën spanjolle të sindikatës për tetë vjet përpara se të zgjidhej për të udhëhequr federatën e futbollit në vitin 2018.
Në Spanjë, ministri në detyrë për sportin dhe kulturën, Miquel Iceta i tha transmetuesit publik RNE, se “është e papranueshme të puthësh një lojtare në buzë për ta uruar”. E një reagim më i fortë erdhi nga ministrja e barazisë në qeverinë spanjolle, Irene Montero.
“Është një formë e dhunës seksuale që gratë vuajnë në baza ditore, dhe e cila ka qenë e padukshme deri më tani, dhe të cilën nuk duhet ta normalizojmë”, tha Montero.
Puthja ishte tronditëse duke pasur parasysh akuzat e gjata të sportit për sjellje të pahijshme seksuale nga presidentët dhe trajnerët meshkuj të futbollit kundër lojtareve në ekipet kombëtare. Dy nga 32 skuadrat e Kupës së Botës, Haiti dhe Zambia, u desh të merreshin me këtë çështje ndërsa kualifikoheshin për turneun e bashkorganizuar nga Australia dhe Zelanda e Re. Përfaqësuesja e Spanjës gjithashtu ishte pothuajse në rebelim vitin e kaluar për shkak të ankesave të disa lojtareve për kulturën nën drejtimin e trajnerit Jorge Vilda. Pas finales, kur Hermoso kaloi përgjatë vijës së personaliteteve të futbollit për të marrë medaljen e saj, Rubiales i vuri duart në kokë dhe e puthi në buzë. Ai gjithashtu përqafoi disa lojtare të tjera dhe vuri krahun e tij rreth Mbretëreshës Letizia të Spanjës. Në një video në Instagram në dhomën e zhveshjes pas incidentit, lojtaret bërtisnin dhe qeshnin ndërsa shikonin puthjen duke u ripërsëritur në një telefon. Hermoso mund të shihet duke qeshur dhe duke bërtitur, por kur u pyet nga lojtaret e tjera për puthjen, ajo tha se “nuk më pëlqeu!”. Të dielën vonë, federata spanjolle e futbollit lëshoi një deklaratë në emër të Hermosos në përpjekje për të zgjidhur polemikën.
“Ishte një gjest reciprok krejtësisht spontan për shkak të gëzimit të jashtëzakonshëm për të fituar një Kupë Bote”, tha Hermoso në deklaratën e federatës. “Presidenti dhe unë kemi një marrëdhënie të shkëlqyer, sjellja e tij me të gjithë ne ka qenë e shkëlqyer dhe ishte një gjest i natyrshëm dashurie dhe mirënjohjeje”.
FIFPRO, e cila është me seli në Holandë, kishte një pikëpamje tjetër në krahasim me federatën spanjolle.
Edhe
Futbollistët e Spanjës dënojnë sjelljen e presidentit Rubiales
“Është thellësisht për të ardhur keq që një moment kaq i veçantë për lojtaret e Spanjës që po ndodhte para një audiencë televizive globale duhet të njolloset nga sjellja e papërshtatshme e një individi në një rol që mban kaq shumë përgjegjësi”. tha FIFPRO të hënën.
Rubiales është gjithashtu një nënkryetar i UEFA-s dhe ishte përfaqësuesi më i vjetër i zgjedhur i trupit evropian të futbollit në finalen në Australi. Megjithatë, UEFA dhe FIFA nuk kanë bërë ende një reagim në lidhje me sjelljen e Rubialesit.