Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Jenni Hermoso “nuk pranoi” puthjen e Luis Rubialesit

Rubiales

Futbollistja Jenni Hermoso ka thënë se nuk pranoi të puthej nga presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales.

Deklarata e Hermosos erdhi pasi 81 lojtarë konfirmuan se nuk do të luajnë për Përfaqësuesen e Spanjës derisa Rubiales të shkarkohet nga posti i presidentit të federatës. Rubiales ka refuzuar të japë dorëheqjen. Ai është në thumb të kritikave që nga e diela, pasi puthi në buzë sulmuesen Hermoso, pas fitores së Spanjës në finalen e Kupës së Botës për futbolliste ndaj Anglisë në Sydney.

Qeveria spanjolle nisi procedimet ligjore për të pezulluar 46-vjeçarin, ndërsa edhe FIFA ka nisur me procedurë disiplinore.

Rubiales pritej të jepte dorëheqjen në një Asamble të Përgjithshme të Jashtëzakonshme të thirrur të premten nga Federata e Futbollit Spanjoll (RFEF). Por në vend të dorëheqjes, ai tha: “Unë nuk e meritoj këtë sulm”. Rubiales shtoi se "ishte një puthje spontane. E ndërsjellë, euforike dhe konsensuale. Ky është çelësi. Mjafton një ‘goditje’ konsensuale për të më nxjerrë nga këtu?”.

Por një deklaratë e lëshuar nga sindikata e lojtarëve “Futpro” përfshinte citate nga sulmuesja Jenni Hermoso, që është pjesë e Pachucas. Ajo citohet të ketë thënë: “Dua të sqaroj se në asnjë moment nuk kam dhënë pëlqimin për puthjen. Nuk toleroj që fjala ime të vihet në dyshim. Disa fjalë janë shpikur, nuk i kam thënë unë”.

Deklarata kundër Rubialesit u nënshkrua nga një mori lojtarësh, duke përfshirë të 23 anëtaret e skuadrës që sapo fitoi Kupën e Botës. Në të thuhet: “Pas gjithë asaj që ndodhi gjatë dorëzimit të medaljeve në Kupën e Botës për futbolliste, duam të themi se të gjithë lojtarët që nënshkruajnë këtë letër nuk do të kthehen në ekip dhe nuk do t’i pranojnë ftesat për të luajtur për Spanjën nëse drejtuesit aktualë vazhdojnë të qëndrojnë”.

Ndeshja e radhës e Përfaqësueses së Spanjës është kundër Suedisë në Ligën e Kombeve të UEFA-s më 22 shtator.

Ndërkohë, Borja Iglesias, i cili luan për skuadrën e Real Betis, ka thënë më herët të premten se nuk do të luante më për Përfaqësuesen e Spanjës derisa Rubiales të jetë në krye të federatës.

Qeveria spanjolle do t'i kërkojë Rubialesit që të shpjegojë veprimet në një gjykatë spanjolle sa më shpejt të jetë e mundur, tha më herët të premten sekretari i sportit Victor Francos. Nëse gjykata administrative vlerëson se ai ka shkelur kodin e sportit profesional, atëherë Rubiales mund të pezullohet.

Ndërkohë FIFA do të shikojë nëse veprimet e tij përbëjnë shkelje të nenit 13 të kodit disiplinor, në lidhje me sjelljen ofenduese dhe ferplejin. FIFA është organizatore e Botërorit, ku ndodhi veprimi shumë i kritikuar i presidentit të federatës spanjolle.

Artikuj të ngjashëm