Përfaqësuesja e Spanjës (meshkujt), ka lëshuar një deklaratë duke dënuar sjelljen e presidentit të suspenduar të Federatës së Futbollit të Spanjës (RFEF), Luis Rubiales.
Kapitenët e “La Rojas) thirrën një konferencë shtypi të improvizuar, ku lojtarët tjerë e ndoqën ndërsa Alvaro Morata lexonte një deklaratë të përgatitur nga futbollistët, të mbështetur nga kapitenët Cesar Azpilicueta, Rodri Hernandez dhe Marco Asensio.
Presidenti i federatës spanjolle, Rubiales është dënuar gjerësisht për puthjen e sulmueses së Spanjës, Jenni Hermoso në buzë pa pëlqimin e saj.
Kjo ka bërë që FIFA ta suspendojë atë për 90-të ditë, ndërsa Ministria e Sportit në Spanjë po pritet ta pezullojë deri në dy vjet nga detyra.
Pedro Rocha është emëruar president i përkohshëm derisa të mund të caktohen zgjedhjet, me gjasë vitin e ardhshëm.
“Së pari duam t'i përcjellim edhe një herë krenarinë dhe urimet tona më të sinqerta Kombëtares së Femrave për titullin e kampioneve të botës në Sydney. Një moment historik i ngarkuar me kuptim që do të shënojë një krenari në futbollin spanjoll të femrave, duke frymëzuar shumë femra me një fitore të paçmuar. Për këtë arsye, ne duam të shprehim keqardhje dhe solidaritet me lojtaret që e kanë parë të njollosur suksesin e tyre”, shkruhej në letrën që e lexonte Morata.
“Ne duam të hedhim poshtë atë që ne e konsiderojmë si të papranueshme, sjelljen nga ana e zotit Rubiales, i cili nuk ka qenë në nivelin e institucionit që ai përfaqëson. Ne e vendosim veten fort dhe qartë në anën e vlerave që përfaqëson sporti. Futbolli spanjoll duhet të jetë një motor respekti, frymëzimi, përfshirjeje dhe diversiteti dhe duhet të jetë shembull me sjelljen e tij si brenda dhe jashtë fushës. Nga sot, ne përballemi me një kamp vendimtar për të ardhmen e futbollit spanjoll në rrugën tonë drejt kualifikimit në ‘Euro 2024’ me dy ndeshje kundër Gjeorgjisë dhe Qipros. Do të dëshironim që tani e tutje, të mund të fokusohemi në çështjet sportive duke pasur parasysh rëndësinë e sfidave që na presin”.
Selektori i Spanjës, Luis de la Fuente, kishte shpjeguar të premten se ishte tronditur nga fjalimi i Rubiales në Asamblenë e Përgjithshme dy javë më parë, ku ai deklaroi se nuk do të jepte dorëheqjen dhe fajësoi feminizmin e rremë për reagimin.
De la Fuente nuk ishte i pranishëm në konferencën e mbajtur për shtyp, e cila zgjati derisa u lexua deklarata dhe nuk u bë asnjë pyetje.
Sulmuesi i Real Betisit, Borja Iglesias, e ka përjashtuar veten nga përzgjedhja derisa të bëhen ndryshimet përkatëse në krye të federatës, ndërsa 79 futbolliste femra kanë deklaruar të njëjtën gjë në një deklaratë për të mbështetur Hermoson.