Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Këshilli spanjoll për sport do të ndërhyjë nëse nuk ka masa ndaj Rubialesit

Federata e Futbollit e Spanjës është vënë nën presion pasi në agjendën për Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme, të planifikuar për të premten, nuk është përmendur incidenti ku u përfshinë presidenti i Federatës, Luis Rubiales, dhe futbollistja Jennifer Hermoso.

Këshilli i Lartë për Sport, që është organ qeveritar, ka tërhequr vërejtjen se do të ndërhyjë nëse Federata dështon të veprojë ndaj Rubialesit.

Rubiales po përballet me kritika të shumta pasi puthi në buzë futbollisten Hermoso gjatë ceremonisë së ndarjeve të medaljeve pasi Spanja mposhti Anglinë në finale të Kupës së Botës për futbolliste.

46-vjeçari ka kërkuar falje për sjelljen e tij, por kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se kërkimfalja nuk mjafton. Zëvendëskryeministrja e dytë, Yolanda Diaz, i ka bërë thirrje Rubialesit që të japë dorëheqje.

Tani presidenti i Këshillit të Lartë për Sport, Victor Francos, ka thënë se Këshilli do të ndërhyjë nëse nuk do të ketë ndonjë masë disiplinore nga Federata për Rubialesin.

Edhe Jenni Hermoso “nuk pranoi” puthjen e Luis Rubialesit Sport Jenni Hermoso “nuk pranoi” puthjen e Luis Rubialesit

“Ne kemi qenë shumë të qartë me Federatën për nevojën që të hapet procedurë bazuar në ligjet për sport”, ka thënë Francos për “Cadena SER”.

“Nuk mund të kalohet pa ndonjë procedurë të brendshme disiplinore. Ne po presim që rasti të zgjidhet urgjentisht. Ai është i kufizuar në dy njerëz të përfshirë dhe nuk ka shumë për të hetuar”.

Rasti mund të bartet te Gjykata Administrative për Sport, pasi Këshilli për Sport pranoi ankesë zyrtare ndaj presidentit të Federatës së Futbollit.

Këshilli e ka të drejtën që të kërkojë dorëheqjen e një administratori sportiv pasi është trup autonom i Ministrisë së Kulturës dhe Sportit.

Sipas CNN, një ankesë ndaj Rubiales është paraqitur nga Miguel Angel Galan, president i Qendrës Nacionale të Stërvitjes. Në Këshill kërkesë për largimin e Rubiales ka paraqitur edhe Liga e Futbollisteve e Spanjës.

Liga e ka vlerësuar veprimin e Rubialesit si “turpërim ndërkombëtar”.

Edhe Sjellja e kreut të futbollit spanjoll në finalen e Botërorit nxit reagime të zemëruara Sport Sjellja e kreut të futbollit spanjoll në finalen e Botërorit nxit reagime të zemëruara

“Një nga të arriturat më të mëdha në histori të sportit spanjoll u përlye nga sjellja e turpshme e përfaqësuesit më të lartë të futbollit spanjoll”, shkruan në deklaratën e Ligës Spanjolle të Futbollisteve.

https://www.koha.net/sport/389277/presidenti-i-federates-spanjolle-puth-ne-buze-futbollisten-pas-fitores-se-boterorit/