Kur yjet e Premier Leagues, Didier Drogba e Nicolas Anelka bënë lëvizje befasuese për në Kinë në vitin 2012, ata futën në hartë futbollin kinez, shkruan agjencia AFP.
Pas tyre pasuan emra si Carlos Tevez, Marouane Fellaini dhe të tjerët do të pasonin pasi po investoheshin para të mëdha në Superligën e Kinës.
Por, periudha kaotike e ish-dyshes së Chelseat ka shërbyer si paralajmërim.
Anelka qëndroi vetëm një vit, me plotë telashe te Shanghai Shenhua, ndërsa Droga vetëm gjashtë muaj.
Drogba firmosi në qershor të vitit 2012 në moshën 34-vjeçare, vetëm pak javë pasi shënoi penalltinë vendimtare në triumfin e Chelseat në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Bayern Muenchenit.
“Për mua do të ishte e lehtë të shkoja te një klub tjetër në Evropë, por zgjodha Kinën pasi më pëlqejnë sfidat”, kishte thënë Drogba në atë kohë, pasi u bë një nga lojtarët më të paguar në botë, me pagë javore rreth 300 mijë dollarë.
Qindra tifozë të Shanghai Shenhuas e kishin pritur yllin e Bregut të Fildishtë, ndërsa arriti në Shanghai.
“Erdhi bomba nukleare e Shenhuas”, tha portieri i Shenhuas atëbotë Wang Dalei.
Edhe
Futbolli kinez, i mbushur me yje, po zbehet
Drogba arsyetoi pritjet, duke shënuar tetë gola në 11 ndeshje. Tifozët e Shanghai Shenhuas e quajtën atë “Bisha”.
Anelka ishte te Shanghai në atë kohë kur Drogba erdhi, pasi kishte firmosur me klubin në janar të vitit 2012, me një pagë afërsisht të njëjtë si Drogba.
Por, derisa Drogba pati suksese në fushë, francezi e kishte të vështirë, pasi shpesh aktivizohej në pozita që nuk i preferonte, si mesfushor defensiv apo në krah.
Anelka arriti të shënonte vetëm tre gola në 23 ndshje, para se të largohej nga Kina në janar të vitit 2013.
Por, çfarë shkoi keq?
Shenhua, një nga gjigantët tradicional të futbollit kinez, në atë kohë ishte në pronë të biznesmenit të video-lojërave Zhu Jun, që pëlqente të luante.
Zhu e bëri Anelkan transferimin e parë që erdhi në Kinë nga Premier League, e po ashtu angazhoi edhe trajnerin e famshëm francez Jean Tigana.
Ish-trajneri i Fulhamit ishte goditur nga një revoltë e lojtarëve ndaj metodave të tij të stërvitjeve dhe u shkarkua pas vetëm pesë ndeshjeve.
Trajner në fushë, Xhaka javë pas jave “kujdeset” për të heshtur kritikët
Me të kuptuar se shërbimet e tij më nuk janë të nevojshme, Tigana u largua nga stadiumi para fillimit të një ndeshje, duke lënë Shenhuan pa trajner për ndeshjen.
Anelka, që nuk kishte përvojë si trajner, njoftoi se do të zëvendësonte Tiganan. Por, Zhu së shpejti solli argjentinasin Sergio Batista në postin e trajnerit, duke irrituar Anelkan.
Ish-lojtari i Arsenalit, Real Madridit dhe Liverpoolit u përfshi në një grindje publike me një tifoz, pasi sulmuesi kishte refuzuar të përkulej pas një humbje.
“Nuk më intereson”, kishte thënë Anelka.
Kishte edhe suksese, si fitorja 5:1 ndaj rivalit Hangzhou Greentown, ku Drogba shënoi dy herë dhe Anelka dha dy asistime.
Mirëpo, së shpejti dyshja e gjeti veten në mes të një grindje në dhomën e bordit.
Zhu tha se pronarët e tjerë i kishin premtuar shumicën e aksioneve për shkak të investimit të tij të madh dhe kërcënoi me ndalje të pagave për lojtarët e huaj në rast se ata nuk ia dorëzojnë aksionet.
Edhe
Pogba zyrtarizohet te Monaco, i kthehet futbollit pas afro dy vjetësh
Drogba dhe Anelka humbën disa ndeshje nga fundi i atij stinori, me arsye se janë të lënduar, por shumica dyshuan se mosmarrëveshja për pagat ishte arsyeja.
Shanghai Shenhua përfundoi stinorin në vendin e nëntë, përkundër vendosmërisë së vazhdueshme të Drogbas për të fituar. Pas një ndeshje, që kishte përfunduar me barazim, ai kishte thyer gjësende në zhveshtore.
“Më prisni, do të kthehem”, kishte thënë Drogba, pasi shënoi në xhiron e fundit të stinorit.
Disa javë më vonë ai dhe Anelka u larguan.