Sport

Shumë gjëra shkuan keq për ekipin amerikan të skijimit alpin në Pekin

Një ekip i SHBA-së i udhëhequr nga Mikaela Shiffrin po largohet nga Lojërat Olimpike të Pekinit me vetëm një medalje të fituar nga 30 të mundshme në garat individuale në skijimin alpin. Dhe ajo është një medalje e argjendtë që e fitoi Ryan Cochran-Siegle në Super-G.

Vendi përgjegjës për historitë e suksesit në Lojërat Olimpike Dimërore me garuesit si Bode Miller, Lindsey Vonn, Ted Ligety dhe Julia Mancuso nuk mbahet në mend të ketë pasur një rezultat kaq të dobët. Për herë të fundit që e fitoi vetëm një medalje ishte në Olimpiadën e vitit 1998, por të paktën ajo ishte e artë. Kështu që amerikanët duhet të kthehen deri në vitin 1988, kur nuk fituan asnjë medalje në skijimin alpin, për të gjetur një paraqitje më të keqe se në Olimpiadën e këtij viti.

“Ne kemi synime dhe pritshmëri të qarta që i ndërtojmë në programin tonë”, tha trajneri i ekipit të skijimit të femrave të SHBA-së, Paul Kristofic. “Dhe, sigurisht, kur nuk i arrijnë ato synime është shumë zhgënjyese”.

Ka një shans të fundit për amerikanët të fitojnë një medalje, të shtunën në garën paralele ekipore, një ngjarje e shtuar në Lojërat Olimpike të vitit 2018.

Shiffrin është pjesë e listës amerikane për këtë garë së bashku me Paula Moltzan, AJ Hurt, River Radamus, Tommy Ford dhe Luke Winters.

Për amerikanët shumë gjëra shkuan keq në Pekin duke filluar nga Mikaela Shiffrin, tashmë një nga skitaret më të suksesshme në historinë e këtij sporti. Shiffrin në Pekin arriti me tri medalje të fituara në Olimpiadat e kaluara – dy të arta, një të argjendtë – së bashku me gjashtë medalje të arta të Kampionatit Botëror dhe tre tituj të përgjithshëm të Kupës së Botës. Ajo ka 73 fitore në Kupën e Botës prej të cilave 47 në sllallom, që është rekord. Shiffrin garoi në të pesë disiplinat në Pekin dhe kështu shkuan gjërat për të: sllallom i madh – nuk përfundoi, sllallom – nuk përfundoi, Super-G – e nënta, lëshim – e 18-ta dhe kombinim – nuk përfundoi.

“Unë nuk e kuptoj vërtet këtë dhe nuk jam e sigurt se kur do të kem më shumë shpjegime”, pranoi Shiffrin. “Dhe nuk mund t'ju shpjegoj se sa e frustruar jam”.

Thënë thjesht, skiatorja më ë mirë në botë në vitet e fundit ka pasur paraqitjet më të dobëta në dhjetë ditët e fundit në Pekin. Çështje tjetër për SHBA-në përfshinte mungesën e Breezy Johnson, njërës prej më të mirave në Kupën e Botës këtë sezon, e cila e humbi Olimpiadën për shkak të operimit. Tommy Ford garoi për herë të parë që nga lëndimi i rëndë në janar të vitit 2021, kurse amerikanët këtë herë patën një ekip më të vogël te meshkujt me vetëm gjashtë garues, për shkak të ndryshimeve të rregullave.

Kështu që vetëm një amerikan hyri në sllallom dhe për herë të parë asnjë nuk u paraqit në kombinim. Paraqitja më e mirë nga një skitare amerikane në Pekin ishte pozita e tetë e Moltzanit në sllallom. Përveç medaljes së argjendtë të Cochran-Siegle, i vetmi rezultat i amerikanëve që doli më mirë se të tjerët ishte vendi i katërt që e siguroi Radamus në sllallomin e madh. Ndoshta medaljet, veçanërisht medaljet e arta, nuk janë matjet e vetme të suksesit në Lojërat Dimërore. Megjithatë, të artat kanë më së shumti rëndësi kur gjykohet një ekip.

“Janë superyjet e vërtetë ata që kanë marrë medalje në Olimpiadën e fundit”, tha trajneri i ekipit të meshkujve Forest Carey. “Po ashtu duhet pasur parasysh se në ekipin tonë të meshkujve nuk kemi superyje”.

Në Lojërat e Pyeongchang katër vjet më parë skitarët amerikanë nuk fituan asnjë medalje në skijimin alpin, por femrat morën tri. Medaljet e tjera amerikane këtë shekull: pesë në vitin 2014, tetë në vitin 2010, dy në vitin 2006 dhe dy në vitin 2002.

“Është pak e çuditshme sepse zakonisht amerikanët janë gjithmonë të fortë në ngjarje të mëdha”, tha skitari italian Alex Vinatzer.

Zvicra, një vend me më pak se 10 milionë banorë, në Pekin ishte fantastike, me pesë medalje të arta prej nëntë në total sa i përket skijimit alpin. Austria mblodhi gjashtë medalje (dy të arta); Italia katër, kurse Franca e Norvegjia nga tri.

“Kjo Olimpiadë erdhi në një kohë tranzicioni për ne”, tha Carey, duke treguar se Radamus, i cili mbushi 24 vjet fundjavën e kaluar, është talenti i ardhshëm amerikan i skijimit alpin. “Olimpiada ka të bëjë me medaljet, por djemtë tanë garuan mirë. Dhe ne kemi një themel më të fortë”.