Ekipi amerikan i skijimit ka njoftuar se skitarja Mikaela Shiffrin do të garojë në Super-G. Kjo ngjarje do të mbahet të premten dhe do të jetë e treta për Shiffrinin deri më tani në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit.
Në dy garat e para, atë të sllallomit të madh dhe sllallomit, Shiffrin dështoi tërësisht. Përkundër që ishte favoritja kryesore, Shiffrin nuk arriti ta përfundojë asnjërën prej garave.
Shiffrin të enjten i ka bërë dy stërvitje në shtegun ku do të mbahet gara në Super-G përpara se ekipi amerikan ta konfirmojë pjesëmarrjen e saj.
26-vjeçarja nga Kolorado nuk ka garuar kurrë në Super-G në një Olimpiadë, por ajo e fitoi atë në kampionatin botëror të vitit 2019.