Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shtatë xhiro deri në fund, Barça afër titullit

FC Barcelona

Barcelona dhe Real Madridi luajnë ndeshjet e radhës në ligën e Spanjës, ku gara për titull thuajse ka përfunduar para një muaji.

Kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund të kampionatit dhe përqendrimi i skuadrave do të duhej të ishte maksimal. Por dy skuadrat e mëdha nuk kanë shfaqur më të mirën në xhirot e fundit.

“Blaugrana” dhe “Los Blancos” kanë lëshuar pikë në javët e fundit, përfshirë edhe në humbjet nga rivalët modestë në mesjavë.

Barcelona ka 76 pikë në vendin e parë dhe e ka thuajse të sigurt titullin e kampionit. Real Madridi është i dyti me 65 pikë.

Në xhiron e 32-të të La Ligas të dy ekipet do të kenë kundërshtarë të cilët kanë për çfarë të luajnë.

Barcelona e pret Real Betisin të shtunën prej orës 21:00. Betisi po lufton për të zënë një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve. Aktualisht zë pozitën e gjashtë me 49 pikë.

Real Madridi luan kundër Almerias në shtëpi. Almeria po synon ta shmangë rënien nga elita, ndërsa ka 33 pikë në pozitën e 15-të. Ndeshja Real Madrid – Almeria luhet të shtunën nga ora 18:30.

Duket sikur fitorja 2:1 e Barcelonës në “El Clasico” në muajin mars vendosi çështjen e fituesit të ligës.

Që nga ajo kohë, Reali ka humbur dy prej pesë ndeshjeve. Pësoi në shtëpi 3:2 nga Villarreali dhe 4:2 nga Girona të martën. Skuadra e Carlo Ancelottit është e fokusuar në dy gara të tjera. Në “Champions” synon trofeun e 15-të, ndërsa në finale të Kupës së Mbretit luan më 6 maj kundër Osasunas. Në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Reali luan kundër Manchester Cityt. Gjysmëfinalen e parë e ka në shtëpi, tri ditë pas finales së Kupës së Mbretit.

Kundër Almerias, Reali do të jetë pa Luka Modriqin që ka lëndim në kofshë.

Barcelona është eliminuar më herët nga Liga e Kampionëve dhe u eliminua nga Reali në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.

Barcelona e synon titullin e parë në La Liga që prej vitit 2019 dhe trofeun e parë madhor që prej largimit të Lionel Messit në vitin 2021, kur Barça triumfoi në Kupën e Mbretit.

Pa Messin, Barcelona e fitoi Superkupën e Spanjës.

Në katër ndeshjet e fundit në ligë, Barcelona e ka fituar vetëm një, ndërsa shënoi vetëm dy gola. Dy barazime pa gola i pati me Gironan dhe Getafen, fitoi ndaj Atletico Madridit 1:0, dhe humbi 2:1 nga Rayo Vallecano të mërkurën mbrëma.

Artikuj të ngjashëm