Sport

Shqiptarët po e udhëheqin skuadrën zvicerane drejt suksesit historik

Lavdrim Hajrullahu ishte kapiten dhe mbrojtës i qendrës. Alban Ajdini ishte në krye të sulmit e pas tij Mërgim Qarri e Liridon Mulaj. Me këtë formacion skuadra Stade-Lausanne-Ouchy të shtunën fitoi 2:0 në udhëtim ndaj Sionit. Ishte ndeshja e parë e barazhit për vend në Superligën e Zvicrës në edicionin e ardhshëm. Ndeshja e kthimit është të martën prej orës 20:30 në Lausanne. Pas fitores në ndeshjen e parë, në Sion, Lausanne-Ouchy është pranë Superligës. Do të ishte sukses historik.

“Jo, skuadra asnjëherë nuk ka qenë në Superligë”, tregon për KOHËN kapiteni i Lausanne-Ouchy, Lavdrim Hajrullahu.

Lausanne-Ouchy përfundoi në vendin e tretë në kategorinë e dytë helvetike. Për shkak të zgjerimit të Superligës së Zvicrës, fitoi rastin të luajë në barazh. Sioni ishte i fundit në Superligë. Nga kategoria e dytë në Superligë direkt kanë kaluar Yverdoni dhe Lausanne-Sport.

“Gjithnjë e kemi menduar se mund të arrijnë në këtë nivel këtë edicion pasi i kemi disa lojtarë të mirë. Prej se ka ardhur trajneri i ri na ka bindur që mund të kemi një kampionat të mirë. Drejtori sportiv ka bërë një punë të shkëlqyer. Çdo edicion ka afruar lojtarë të fortë nga jashtë. Klubi e ka një organizim të mirë dhe atmosfera gjithmonë ishte familjare”, ka treguar Hajrullahu.

Ai është 25-vjeçar dhe i lindur në Lausanne. Është me prejardhje nga Presheva. Është zhvilluar te skuadra tjetër e qytetit, Lausanne-Sport, ndërsa te Lausanne Ouchy është prej vitit 2017. Para katër edicionesh Lausanne-Ouchy u promovua në kategorinë e dytë.

Hajrullahu nuk e vlerëson të kryer kalimin në Superligë. Thotë se i pret edhe një ndeshje e vështirë. I gjithë fokusi është te ndeshja e së martës.

“Jam i lindur në Lausanne dhe shumë i lidhur me klubin. Kam qëndruar më gjatë te Stade Lausanne Ouchy dhe jam kapiten. Pra kam shumë përgjegjësi. Në skuadër jemi pesë shqiptarë dhe kalojmë shumë mirë mes vete. Qëndrojmë së bashku dhe kjo na jep forcë. Unë si kapiten dhe të tjerët, që janë lojtarë ofensivë, kemi kontribuar shumë. Shqiptarët e tjerë janë shumë të mirë dhe shumë të vendosur. Kanë potencial për të luajtur më lartë dhe besoj që së shpejti do të jenë në kategori më të lartë”, ka treguar mbrojtësi Hajrullahu.

Mulaj, 24-vjeçar, ka shënuar gol në gjashtë ndeshjet e fundit. Ka nëntë gola e katër asistime këtë edicion. Shënoi golin e parë ndaj Sionit. Ishte lojtar i ndeshjes, sipas “20min.ch”.

Ndonëse mbrojtës, Hajrullahu ka kontribuar me dy gola. Mërgim Qarri është shquar me 11 asistime, ndërsa ka shtuar edhe tri gola. Ndërkohë 23-vjeçari Alban Ajdini ka shkëlqyer me 13 gola e tri asistime.

Kalimi në Superligë do të rriste gjasat e Hajrullahut, por edhe të tjerëve, që të ftohen nga Kosova. Në vitin 2021 Hajrullahu e ka luajtur një miqësore për Kosovën, ndaj Guinesë.

“Dëshira ime natyrisht është të kthehem te Kosova”, thotë mbrojtësi, që si kapiten po e udhëheq skuadrën drejt suksesit më të madh në histori.