Katër ndeshje këtë vit, katër fitore. Hoffenheimi i Leon Avdullahut, Albian Hajdarit dhe Fisnik Asllanit nuk ka të ndalur në Bundesligë.
Vetëm dy skuadrat më të mëdha gjermane, Bayerni dhe Borussia Dortmundi janë para Hoffenheimit në tabelë. Pas xhiros së 19-të, skuadra e tre shqiptarëve është në vendin e tretë me 39 pikë. Bayerni udhëheqë me 50 pikë, ndërsa Dortmundi i ka 42 pikë në pozitën e dytë.
Katër skuadrat e para në tabelë në fund të edicionit kualifikohen në Ligën e Kampionëve. Dhe Hoffenheimi ka gjasa shumë të mira të jetë në mesin e tyre.
Hoffenheimi e nisi vitin me fitore 5:1 ndaj Borussia Monchengladbachut. Më pas fitoi 1:0 ndaj Bayer Leverkusenit, ndërsa në udhëtim e mposhti Eintracht Frankfurtin me shifrat 3:1. Po në udhëtim, të martën mbrëma, fitoi 2:0 ndaj Werder Bremenit. Ishte kjo ndeshje e mbetur e xhiros së 16-të të elitës gjermane.
Albian Hajdari në qendër të mbrojtjes dhe Leon Avdullahu në qendër të mesfushës e kompletuan ndeshjen. Këtë herë sulmuesi Asllani u la në stol. Hoffenheimi fitoi ndonëse luajti me një lojtar më pak në fushë prej minutës së 52-të.

Hajdari e Avdullahu ishin prej më të vlerësuarve. Të dy janë përshtatur shpejt dhe me sukses të plotë te skuadra gjermane, të cilës iu bashkuan verën e kaluar.
Mesfushori Avdullahu ka startuar në të gjitha 19 ndeshjet e deritashme. Vetëm në tri prej tyre nuk ka luajtur për 90 minuta. Kjo dëshmon për stabilitetin që ofron në mesfushë.
Hajdari u bashkua pak më vonë me skuadrën dhe nisi me ndeshje prej xhiros së dytë. Mungoi më 28 shtator për shkak të një lëndimi, e po ashtu më 14 janar për shkak të kartonëve. Por tashmë është i pazëvendësueshëm dhe shumë stabil në qendër të mbrojtjes.
Asllani nuk ka shënuar gol që nga 13 dhjetori, ndërsa së fundi asistoi më 14 janar. Megjithatë mbetet shumë i rëndësishëm. Të martën nuk luajti për herë të parë këtë edicion. Në 18 paraqitje ka gjashtë gola e tri asistime.
Treshja “Dardane” ka vlerësimin maksimal nga trajneri Christian Ilzer.
“Të tre janë ambientuar shumë shpejt dhe e kanë shfrytëzuar maksimalisht mjedisin këtu për zhvillim të mëtejmë. Është e qartë se ata po integrohen gjithnjë e më shumë në ekip dhe po bëhen anëtarë integralë të skuadrës sonë. Të tre tani luajnë për Kosovën dhe ndihen shumë të lumtur atje”, ka thënë javë më parë për KOHËN, austriaku Christian Ilzer.
Ai po e nxjerr më të mirën nga tre reprezentuesit e Kosovës, ndërsa ka treguar edhe profilin e veçantë të tyre. Për Avdullahun ka thënë se “është perfekt për pozicionin e numrit gjashtë”. Për Hajdarin ka vlerësuar se ka “cilësitë ideale për qendërmbrojtës”. Për Asllanin, vlerësimi i trajnerit të Hoffenheimit është se “bën lidhjen perfekte midis mesfushës dhe sulmit”.
Hoffenheimi po del të jetë klubi i duhur për tre prej anëtarëve më të rëndësishëm të ekipit nacional të Kosovës. Natyrisht nga ecuria dhe pozita në tabelë e Hoffenheimit përfiton direkt edhe Kosova. Nëse vazhdojnë me formën aktuale, Hajdari, Avdullahu e Asllani jo vetëm që do të startojnë më 26 mars ndaj Sllovakisë, por pritet të jenë edhe bartës të lojës, së bashku me disa të tjerë.