Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shqipëria synon ta fitojë grupin në Ligën B të Ligës së Kombeve

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja, ka zbuluar se ka synime të mëdha me “kuqezinjtë” në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve.

Të premten, Reja e publikoi listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e qershorit, kurse në konferencën për shtyp insistoi se Shqipëria synon ta fitojë grupin e saj. Shqipëria është pjesë e grupit të dytë të Ligës B të Ligës së Kombeve, të cilin e përbëjnë edhe Islanda e Izraeli. Pjesë e këtij grupi ishte edhe Rusia, por ajo është diskualifikuar nga UEFA shkaku i luftës në Ukrainë.

Në qershor, Shqipëria do t’i zhvillojë tri ndeshje. Dy i luan në kuadër të Ligës së Kombeve dhe një e ka miqësore, me Estoninë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë më 13 qershor.

Para miqësores, Shqipëria do t’i ketë përballjet e Ligës së Kombeve. Më 6 qershor është mysafire e Islandës, kurse katër ditë më vonë e pret në Tiranë, Përfaqësuesen e Izraelit.

Reja ka thënë se këto ndeshje patjetër duhet fituar. Shqipëria është promovuar në Ligën B, që është niveli i dytë.

Edhe Shqipëria kërkon fitore në fund të një cikli të pasuksesshëm Sport Shqipëria kërkon fitore në fund të një cikli të pasuksesshëm

“Ndeshjet e Ligës së Kombeve janë shumë të rëndësishme për ne, për Shqipërinë. Duhet t’i fitojmë me çdo kusht. Presim një paraqitje të nivelit të lartë. Sigurisht, rezultatet janë të rëndësishme për objektivin që kemi. Në ndeshjet e muajit mars skuadra ishte në gjendje shumë të mirë dhe bëmë dy ndeshje miqësore me paraqitje të një niveli shumë të lartë dhe duhet të vazhdojmë kështu. Duhet të bëjmë të njëjtat paraqitje dhe synimi ynë është që të fitojmë grupin”, tha Reja. “Duhet të jemi sa më mirë në aspektin fizik. E rëndësishme është që ata që do të jenë në fushë, ata që do të zgjidhen për të luajtur, të japin maksimumin për të marrë rezultate shumë të mira në ndeshjet zyrtare”.

Reja ka ftuar 26 futbollistë, kryesisht ata që ishin të përfshirë edhe në grumbullimin e muajit mars. Janë rikthyer mbrojtësi Kastriot Dermaku e mesfushori Nedim Bajrami, të cilët janë rikuperuar nga lëndimet. Ndërsa, bie në sy mungesa e sulmuesit Rey Manaj.

Italiani Reja ka vendosur të ketë edhe një listë të pritjes me nëntë lojtarë, për shkak të orarit të ngjeshur të ndeshjeve.

“Sa i përket listës, të gjithë lojtarët që kanë qenë në grumbullimet e mëparshme dhe që mungojnë në këtë listë, kanë probleme fizike, duke nisur nga Manaj. Unë kam folur me të gjithë lojtarët. Manaj ka një problem në shpatull, e njëjta gjë me Brojën që ka rezultuar pozitiv me COVID dhe ka pasur simptomat e zakonshme. Shpresojmë ta kemi me ndeshjen me Izraelin, po e ndjekim me kujdes dhe urojmë të shërohet sa më parë”, zbuloi Reja. “E njëjta gjë për Laçin dhe Baren. Laçi është operuar një ditë më parë, kam biseduar me të. Bare është prej disa javësh larg fushave dhe nuk mund të luajë. Gjithsesi kam shumë besim te lojtarët që kam aktualisht, besoj që do të na dhurojnë ndeshje shumë të mira dhe rezultate pozitive”.

Edhe Kuqezinjtë të gatshëm për “finalen” në Tel Aviv Sport Kuqezinjtë të gatshëm për “finalen” në Tel Aviv

Në stërvitjen e parë të mbajtur të premten në Durrës, Reja i pati në dispozicion të gjithë futbollistët e ftuar.

Shqipëria në fund të marsit i pati dy ndeshje miqësore, ku regjistroi një humbje dhe një barazim. U mposht nga Spanja me rezultatin 2:1, kurse barazoi pa gola me Gjeorgjinë.