Qeveria e Shqipërisë ka shpallur festë publike në Tiranë për të mërkurën e ardhshme, kur kryeqyteti i saj do të presë finalen e Ligës së Konferencës ndërmjet Romës dhe Feyenoordit. Kjo finale do të luhet më datën 25 maj prej orës 21:00 dhe Shqipëria tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet për ta pritur këtë ngjarje të madhe. Kryeqyteti shqiptar do të jetë një zonë vetëm për këmbësorët si pjesë e masave “për të organizuar në mënyrën më shembullore një nga ngjarjet më madhore që kanë ndodhur në Shqipëri”, tha të mërkurën ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi.
Deri në 100.000 tifozë italianë dhe holandezë priten në Tiranë, edhe pse secilës palë i janë ndarë vetëm nga 4000 bileta për finalen inauguruese të kompeticionit të kategorisë së tretë evropiane për klube. Kapaciteti në Arenën Kombëtare apo në stadiumin “Air Albania” në Tiranë është vetëm 20.000 vende.
“Ne po marrim të gjitha masat për ta bërë ditën festive për të gjithë, jo vetëm për tifozët italianë dhe ata holandezë”, tha Çuçi.
UEFA zgjodhi Tiranën si mikpritëse për finalen e Ligës së Konferencës në muajin dhjetor të vitit 2020, një vit pasi stadiumi i ri u hap zyrtarisht dhe përpara se ndonjë ekip të kualifikohej për të hyrë në garën debutuese të UEFA-s për klube. Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për të përditshmen italiane “Tuttosport” ka zbuluar se do të jetë i pranishëm në stadium për të përcjellë nga afër finalen, ndërsa ka pranuar se do të bëjë tifo për ekipin nga Serie A, Roma. Në krye të skuadrës së Romës është trajneri i mirënjohur, portugezi Jose Mourinho.
“Është hera e parë që Shqipëria pret një finale evropiane. Diçka që disa vite me parë do të ishte totalisht e pakonceptueshme. Në të shkuarën Kombëtarja jonë duhej të emigronte jashtë për të luajtur ndeshjet e rëndësishme në shtëpi, sepse nuk kishim një stadium që i përmbushte standardet e UEFA-s. Tani kemi një nga impiantet më të bukur në Evropë”, ka thënë Rama.
Si Roma ashtu edhe Feyenoordi, garat në Ligën e Konferencës i kanë nisur në fazën e grupeve dhe kanë përfunduar në krye të tabelës. Në fazën e nokautit, Roma për të arritur deri në finale e eliminoi Vitessen në 1/8 e finales, Bodo/Glimtin në çerekfinale dhe Leicester Cityn në gjysmëfinale. Ndërsa skuadra e Feyenoordit ka pasur një rrugë më të vështirë, pasi fillimisht eliminoi Partizanin e Beogradit, përpara se të kalonte edhe pengesat si Slavia e Pragës dhe Olympique Marseillen. Finalja është një ndeshje e profilit më të lartë se sa ishte parashikuar nga shumë në vitin 2018, kur UEFA vendosi të krijonte Ligën e Konferencës. Qëllimi i kësaj gare ishte që UEFA t'u jepte më shumë mundësi klubeve në vendet e rangut më të ulët për të qëndruar të përfshira në garat evropiane përtej dhjetorit. Një stadium edhe më i vogël – “Eden Arena” në Pragë - është vendosur ta presë finalen e vitit 2023.