Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shqipëria me dy mungesa në stërvitjen e parë

Qazim Laçi dhe Naser Aliji kanë qenë mungesat e vetme në stërvitjen e parë që Shqipëria e zhvilloi në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë.

Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se dy futbollistët do t’i bashkohen të martën pjesës tjetër të ekipit. Sylvinho në stërvitjen e parë para dy miqësoreve të këtij muaji kishte 24 lojtarë në dispozicion.

Miqësoren e parë Shqipëria e luan të premten në Parma kundër Kilit, kurse më 25 mars ndaj Suedisë në Solna.

“Fillimisht punuan në palestër, ndërsa më pas dolën në fushën e lojës, aty ku zhvilluan edhe stërvitjen e parë zyrtare. Nën drejtimin e trajnerit Sylvinho janë stërvitur 24 lojtarë, një pjesë e të cilëve morën ngarkesë të plotë fizike, ndërsa lojtarët që kanë luajtur dje në kampionatet respektive u stërvitën veçmas. Në bashkëpunim me ekipin kombëtar U-21, kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore të përbashkët”, shkruan në njoftimin e FSHF-së. Shqipëria të enjten në mëngjes do të niset drejt Italisë ku pasdite do të zhvillojë seancën e fundit para ndeshjes kundër Kilit. Ndeshja nis në orën 20:45.