Pas shumë miqësoreve dhe fazës së gjatë përgatitore, Kosova U21 është gati për të nisur kualifikimet për “Euro 2025”. Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll është pjesë e Grupit D të kualifikimeve për Evropianin e ardhshëm. Ndeshjen e parë e luan të martën prej orës 20:00 në “Fadil Vokrri”.
Përballë Kosovës U21 do të jetë Estonia, që në letër llogaritet përfaqësuesja më e dobët në grup. Gjermania, Polonia, Izraeli dhe Bullgaria janë rivalët e tjerë të Kosovës U21 në ciklin e ri kualifikues.
Të rinjtë e Kosovës kanë luajtur miqësore në shtator e nëntor të vitit të kaluar dhe në mars të këtij viti. Grumbullimi për ndeshjen me Estoninë është bërë më 10 qershor.
“I gjithë grumbullimi ka shkuar shumë mirë. Pak kemi pasur vështirësi shkaku i të reshurave, por kjo nuk është varur nga faktori njeri. Gjërat e tjera kanë shkuar në mënyrën më të mirë. Jemi të gatshëm për ndeshje. Po shpresoj që përveç angazhimit, disiplinës, seriozitetit do të kemi edhe fat. Në ndeshje të tilla nuk kemi favoritë, sepse nuk jemi ndonjë Kombëtare që mund ta nënçmojmë dikë. Na duhet shumë punë e angazhim për të arritur rezultat”, ka thënë selektori i Kosovës U21, Afrim Tovërlani.
Ai thotë se lojtarëve u duhet përkrahje nga tribunat, ndërsa është i bindur se disa prej tyre shpejt do të jenë në Përfaqësuesen A.
Tovërlani ka ftuar lojtarë të klubeve të vendit e po ashtu shumë lojtarë që bëjnë karrierë në Evropë.
“Jemi përgatitur shumë mirë. Grupi është shumë i mirë, po kalojmë shumë mirë. Do të japim maksimumin dhe shpresojmë që të fitojmë tri pikë”, ka thënë Besfort Zeneli. Ai luan për Elfsborgun në Suedi, ndërsa është vëllai i Arbër Zenelit.
Edhe
Kosova U21 i nis përgatitjet për ndeshjet vendimtare
Kosovë – Estoni është ndeshja e vetme e qershorit në grup. Ndeshjet e tjera janë në shtator.
“Stërvitjet me Kosovën U21 kanë shkuar shumë mirë. Kemi punuar fort dhe po shpresojmë për fitore. Atmosfera është shumë e mirë. Të gjithë po japim maksimumin dhe po shkon shumë mirë”, ka thënë Etnik Brruti i Malishevës.
Në kualifikimet për “Euro 2023” Kosova ishte e katërta në grup. Prapa kishte lënë Shqipërinë dhe Andorrën. Ndërsa para Kosovës ishin Anglia, Çekia dhe Sllovenia.