Pos Gjilanit e Dukagjinit edhe pesë skuadra shqiptare paraqiten të enjten në ndeshjet e kthimit të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Punën bindshëm më të lehtë do ta ketë Shkupi. Shkupjanët në ndeshjen e parë fituan 5:0 ndaj skuadrës nga Lituania, Hegelmann. Ndeshja ishte luajtur në Lituani, ndërsa Cephas kishte shkëlqyer me katër gola. Kështu ndeshja e kthimit në Shkup pritet të jetë më shumë formalitet. Shkupi vetëm do ta konfirmojë kalimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndeshja Shkupi – Hegelmann luhet prej orës 21:00.
Prej orës 20:45 luan Shkëndija e Tetovës. Skuadrën tetovare e pret punë jo e lehtë në Cardiff të Uellsit. Shkëndija përballet me skuadrën uellsiane Haverfordwest County. Ka epërsinë 1:0 nga ndeshja e parë. Adenis Shala kishte shënuar golin e vetëm në ndeshjen e parë në Shkup.
“Jemi përgatitur për ndeshjen e kthimit. Secili lojtar do të japë maksimumin dhe nuk dyshoj në ekip. Shpresoj të marrim rezultat më të mirë se në Shkup”, ka thënë Shala.
Në garë, por në situatë më të vështirë, janë edhe tri skuadra nga Shqipëria.
Egnatia e Rrogozhinës, që debuton në Evropë, e pret Araratin e Armenisë. Ndeshja e parë e zhvilluar në Jerevan kishte përfunduar 1:1. Egnatia e kishte shënuar golin e barazimit në minutën e 97-të.
Në ndeshjen e kthimit Egnatia e Ararati takohen nga ora 20:00 në Elbasan.
“Varet nga ne. Na motivon barazimi 1:1 në Ararat. Kemi krijuar më shumë raste dhe sikur t’i shfrytëzonim rezultati do të ishte dukshëm më i favorshëm. Për fitore dhe kualifikim duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm”, ka thënë portieri Alen Sherri, një prej më të dalluarve tek Egnatia.
Tiranën e pret udhëtim i vështirë. Nga ora 19:00 Tirana luan me Dinamo Batumin në Batumi të Gjeorgjisë. Ndeshja e parë e luajtur në Tiranë kishte përfunduar 1:1. Skuadra shqiptare kishte barazuar rezultatin me golin në minutën e 93-të.
“Pas ndeshjes së parë kemi informata më të detajuara dhe synojmë të përmirësohemi. Rezultati i ndeshjes së parë bën që sfida të jetë e hapur. Mendoj se gjasat janë 50 me 50”, ka thënë trajneri i Tiranës, Orges Shehi.
Kalimi në raundin e dytë kualifikues do të jetë më së vështiri për Vllazninë e Shkodrës. Vllaznia në ndeshjen e parë pësoi 3:1 nga Linfieldi i Irlandës së Veriut. Ndeshja ishte luajtur në Belfast, ndërsa shkodranët golin e kishin shënuar në minutën e 89-të. Ndeshja e dytë zhvillohet në “Loro Boriçi”, nga ora 20:45.
“Me ndihmën e tifozëve mund të bëjmë të mundur përmbysjen e rezultatit”, ka thënë sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj. “Nuk është e lehtë, por nuk është as e pamundur. Optimizmi dhe pozitiviteti duhet të na karakterizojnë të gjithëve”, ka shtuar Balaj.
Në Ligën e Konferencës garon edhe Drita, por që starton prej raundit të dytë kualifikues. Ndërkohë pas eliminimit nga Liga e Kampionëve në raundin e dytë të Ligës së Konferencës vazhdojnë edhe Struga e Partizani i Tiranës.