Dukagjini e Gjilani nuk janë skuadrat e vetme shqiptare që të enjten luajnë ndeshje evropiane. Në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës paraqiten edhe disa skuadra të tjera shqiptare.
Kështu Egnatia e Rrogozhinës do të debutojë në skenën evropiane. Fituesja e Kupës së Shqipërisë, Egnatia, do të përballet me Araratin e Armenisë. Ndeshja e parë është në Jerevan, të enjten nga ora 17:00. Ndeshja e kthimit do të luhet më 20 korrik në Elbasan. Egnatia ishte e treta në Superligën e Shqipërisë dhe tani synon suksesin në Evropë.
Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës paraqitet edhe Tirana. Tirana përballë e ka skuadrën nga Gjeorgjia, Dinamo Batumi. Ndeshja e parë është në “Air Albania”, të enjten nga ora 20:00. Ndeshja e kthimit është një javë më vonë në Batumi të Gjeorgjisë. Nënkampionia e Shqipërisë, Tirana, ka përvojë të gjatë në kupa evropiane dhe synon kalimin e Batumit.
Ndërkohë Vllaznia e Shkodrës ka punë me Linfieldin e Irlandës së Veriut. Ndeshja e parë zhvillohet të enjten në Belfast nga ora 20:45, ndërsa e kthimit më 20 korrik në Shkodër.
Shkëndija e Tetovës duhet të udhëtojë për në Uells për Ligën e Konferencës. Por vetëm javën tjetër. Ndeshjen e parë me Haverforwest County, Shkëndija e luan të enjten prej orës 20:00 në Shkup. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet një javë më vonë në Cardiff.
Skuadra tjetër shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Shkupi, përballë në raundin e parë të Ligës së Konferencës e ka skuadrën nga Lituania, Hegelmann. Ndeshja e parë luhet në Kaunas të Lituanisë, të enjten nga ora 19:00. Ndeshja e kthimit është në Shkup më 20 korrik.
Shkupi ka hasur në telashe para udhëtimit në Lituani. Një lojtar i kësaj skuadre nuk është pajisur me vizë për të hyrë në Lituani. Bëhet fjalë për lojtarin Walid Hamidi.
“Jemi informuar se kjo vonesë ka ndodhur për faktin se lojtari ynë është algjerian. Në botën e sotme është tragjikomike që një futbollist të pengohet apo të vonohet të marrë pjesë në një turne ndërkombëtar për një arsye të tillë. Ky është një turne ndërkombëtar dhe ky është lojtari ynë. Është për të ardhur keq që politika ka një efekt kaq negativ në futboll. Nuk duhet harruar se është shumë e vlefshme që një futbollist të marrë pjesë në një organizim të tillë, për këtë kanë përgjegjësi ata që e pengojnë dhe ata që nuk e bëjnë detyrën e tyre. Për shkak të këtij problemi të pakuptimtë me vizën, klubi ynë i dërgoi kërkesë UEFA-s për shtyrjen e ndeshjes, sepse kjo nuk është e drejtë për ne”, shkruan në një komunikatë të Shkupit.
Direkt prej raundit të dytë të Ligës së Konferencës garimin e nis Drita e Gjilanit.
Liga e Konferencës është gara e tretë kontinentale për klube të futbollit, pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.