Paraqitja e Xherdan Shaqirit kundër Marseillet ishte prej më të mirave qëkur u transferua te skuadra e Lyonit. 30-vjeçari shënoi me kokë në minutën e 76-të, ndërsa asistoi një minutë para fundit të takimit për Moussa Dembelen. Lyoni fitoi 2:1 të martën mbrëma kundër Marseillet në ndeshjen e xhiros së 14 të Ligue 1. E goli i realizuar ndaj Marseillet e ka befasuar edhe vetë Shaqirin.
“Të jem i sinqertë, isha i befasuar me veten që shënova me kokë”, qeshet Shaqiri në deklaratën e tij dhënë për “Amazon Prime Video”.
Për futbollistin e gjatë 169 centimetra, ishte vetëm goli i tij i tretë në karrierë që e shënoi me kokë. Megjithatë, për Shaqirin kishte rëndësi vetëm fitorja e Lyonit.
“Është me të vërtetë e jashtëzakonshme se çfarë bëri skuadra pavarësisht mungesave të shumta. Jam shumë krenar për këtë paraqitje dhe shumë i lumtur që luajtëm mirë. Moussa Dembele hyri në lojë dhe ndryshoi gjithçka. Ai është një futbollist që mund të shënojë kundër çdo ekipi kur është në formë të mirë”, theksoi Shaqiri.
I befasuar me golin me kokë të Shaqirit ishte edhe bashkëlojtari i tij, qendërmbrojtësi Jerome Boateng.
Edhe
Shaqiri shpreson të pritet mirë nga tifozët e Lyonit
“Shaq, isha duke ëndërruar apo ti me të vërtetë shënove me kokë”, shkroi Boateng në Instagram.
Hera e fundit kur Shaqiri kishte shënuar dy gola në një ndeshje kampionale ishte në dhjetor të vitit 2018. Ai realizoi dy herë me fanellën e Liverpoolit në duelin kundër Manchester Unitedit. Shaqiri nuk i pati shifrat e njëjta edhe të martën mbrëma në Francë, por paraqitja e tij është vlerësuar lart pas ndeshjes. Madje, thuhej se ishte ndeshja e tij më e mirë në kampionatin francez, pavarësisht minutazhës së vogël që e ka pasur në dispozicion. Shaqiri ka vetëm 995 minuta apo 16 paraqitje në total këtë sezon për Lyonin, ku ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me tri asistime.
Si rezultat i minutazhës së vogël në fushë u përfol shumë për një largim të mundshëm të Shaqirit nga Lyoni në fillim të këtij viti. Madje, në ditën e ndeshjes kundër Marseillet presidenti i klubit nga Zvicra, Sion, Christian Constantin, kishte thënë se skuadra është në prag të bisedimeve me reprezentuesin e Zvicrës.
“Shaqiri ka dashur që ne të takohemi për shkak se luan shumë pak te Lyoni”, ka thënë 65-vjeçari Constantin për radion “Rhone FM”. “Në prag të Kupës së Botës, ai po e shikonte mundësinë të transferohej te një klub ku do të kishte më shumë hapësira për të luajtur”.
Sipas “20min.ch”, drejtori sportiv i Sionit, Barthelemy Constantin, që është i biri i presidentit, ka pasur kontakte të mira me Shaqirin.
“Ata kanë folur shumë”, ka shpjeguar presidenti i klubit të Sionit.
Megjithatë, pas paraqitjes së Shaqirit të martën mbrëma zërat për një transferim të mundshëm të tij në Zvicër janë zbehur shumë. Të hënën Sioni e transferoi mbrojtësin Loris Benito. 30-vjeçari kishte mbetur pa klub qëkur iu shkëput kontrata me skuadrën e Bordeauxit në verën e vitit të shkuar. Shaqiri pas triumfit ndaj skuadrës së Marseillet u përgëzua për paraqitje të mira edhe nga trajneri i Lyonit, Peter Bosz dhe bashkëlojtari Malo Gusto.
Edhe
Bashkëlojtari te Lyoni s’mund ta besojë që Shaqiri ka realizuar me kokë
“Këta janë lojtarë të cilët tregojnë qartë se ne kemi më shumë se 11 lojtarë, të cilët meritojnë vendin e titullarit”, pranoi trajneri Bosz.
Shaqiri në fillim të këtij sezoni iu bashkua Lyonit nga Liverpooli dhe me ekipin francez ka kontratë deri në verën e vitit 2024.