Xherdan Shaqiri ka gjasa të mëdha të largohet nga skuadra e Lyonit pas vetëm gjashtë muajve, përcjell “L’Equipe” të enjten.
Gazeta franceze shkruan se si Shaqiri ashtu edhe drejtuesit e Lyonit janë të gatshëm t’i ndajnë rrugët për shkak se nuk janë të kënaqur.
Shaqiri nuk është i kënaqur me minutazhën që ka pasur tek ekipi francez, ndërsa te Lyoni nuk kanë mbetur të kënaqur me atë që ka treguar 30-vjeçari deri më tash.
Në fillim të këtij edicioni, Shaqiri u transferua me bujë te madhe te Lyoni nga Liverpooli, por ai ka luajtur në vetëm 13 prej 22 ndeshjeve që i ka zhvilluar ekipi, duke shënuar një gol dhe asistuar dy herë.
Te Lyoni tashmë po presin ofertat për Shaqirin, i cili ka kontratë deri në vitin 2024 dhe pagë vjetore prej 4.5 milionë eurosh.
Lyoni është në kërkim të zëvendësuesit për Shaqirin dhe tashmë ia ka vënë syrin Serdar Azmounit të Zenitit.
Për Shaqirin, interesim tashmë kanë treguar ekipet nga Turqia dhe SHBA-ja.