Trajneri i Lyonit, Peter Bosz ka shpjeguar arsyet që e detyruan Xherdan Shaqirin të largohet nga ekipi francez pasi nuk arriti ta dëshmojë potencialin e tij.
Ditë më parë, Shaqiri u zyrtarizua te skuadra amerikane Chicago Fire, e cila për kartonin e 30-vjeçarit i pagoi Lyonit shtatë milionë euro. Shaqiri para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Lyonit nga Liverpooli por nuk pati hapësirë të mjaftueshme te ekipi francez.
Trajneri Bosz ka pranuar se ishte ai që insistoi në transferimin e Shaqirit por shtoi se sulmuesi kur iu bashkua ekipit nuk ishte edhe në formën më të mirë fizike.
“Ne e përdorëm Shaqirin në krahun e djathtë në fillim të sezonit. Për shkak se nuk dominonim aq shumë, ai është dashur të mbulojë shumë hapësirë në mbrojtje dhe në sulm, për çka mendoj se nuk ishte i aftë”, është shprehur Bosz.
“Ai është lojtar numër dhjetë që duhet të luajë prapa vijës sulmuese. Po, unë e doja te Lyoni sepse Shaqiri është një lojtar i mirë dhe te Liverpooli ka luajtur shpesh në krah. Ka teknikë fantastike dhe vizion të mirë por këto kemi shumë lojtarë në atë pozitë”.
Shaqiri me fanellën e Lyonit shënoi dy gola dhe bëri tri asistime në 11 ndeshje në Ligue 1 ndërsa pati edhe pesë paraqitje në Ligën e Evropës.