Xherdan Shaqiri ka gjasa të mëdha të rikthehet në futbollin evropian. Madje, të mërkurën është raportuar se ai do të transferohet në Turqi gjatë këtij muaji.
E përditshmja “Aksam” ka shkruar se Shaqiri do t’i bashkohet skuadrës së Trabzonsporit, me të cilën parimisht ka arritur marrëveshje.
Tek ekipi turk, Shaqiri po shihet si përforcim i madh pasi ka shprehur interesim për t’u rikthyer në Evropë.
31-vjeçari në shkurt të vitit të shkuar iu bashkua ekipit Chicago Fire nga Lyoni dhe me skuadrën nga SHBA-ja, ka kontratë deri në fund të vitit 2024. Mirëpo, Trabzonspori është i gatshëm t’i paguajë ekipit amerikan deri në tetë milionë euro për shërbimet e tij.
Së fundmi, Shaqiri ishte pjesë e Zvicrës në Kupën e Botës “Katari 2022”, që u eliminua në 1/8 e finales. Ai karrierë në Evropë ka bërë edhe te Liverpooli, Stoke City, Interi, Bayerni e Baseli.