Për asnjë nga shtatë klubet për të cilat ka luajtur gjatë karrierës, kapiteni aktual i Baselit, Xherdan Shaqiri, nuk ka bërë më pak paraqitje se sa për Lyonin.
Ai për klubin francez në 16 ndeshje shënoi dy gola dhe pati tri asistime.
Shaqiri do të kthehet në Lyon këtë javë. Por tani si kundërshtar i ekipit ku kaloi vetëm gjysmë viti.
Shaqiri me Baselin të enjten do ta zhvillojnë ndeshjen e tretë në Ligën e Evropës. Ndeshja Lyon – Basel luhet nga ora 18:45.
“Kalova një kohë të mirë në Lyon, edhe pse ishte kohë e shkurtër. Pres me padurim të shoh disa miq të vjetër. Shpresoj se do të pritem mirë”, ka thënë Shaqiri të martën.
“Ne duam të bëjmë paraqitje të mirë dhe të fitojmë pikët e plota”.
Shaqiri është duke kaluar formë të mirë te Baseli. 34-vjeçari ka shënuar tetë gola dhe ka kontribuar me gjashtë asistime në 15 ndeshje në të gjitha garat.
Ai ka luajtur edhe për Bayernin, Liverpoolin, Interin, Stoke Cityn e Chicago Fire.