Sport

Shkëlqimi i sërishëm i mjeshtrit të mesfushës

Trajneri i Brentfordit, Thomas Frank, kishte vlerësuar lart ardhjen emocionale të bashkëkombësit të tij, Christian Eriksen, në janar. Trajneri Frank tha se Erikseni mund të jetë “nënshkrimi më i mirë i klubit në histori”.

Ishte një vlerësim i bërë pas finalizimit të marrëveshjes që e ktheu mesfushorin në futboll, pasi ai pësoi arrest kardiak derisa po luante për Danimarkën në ndeshjen hapëse të “Euro 2020”, në qershorin e kaluar.

Erikseni ka treguar se kishte ndier që “kishte ikur nga kjo botë për pesë minuta” kur mbeti i shtrirë në fushën e blertë në Evropianin e kaluar. Kështu që të gjithë u gëzuan kur panë 30-vjeçarin shumë të popullarizuar, në formë dhe me shëndet.

Në fitoren 4:1 të arritur të shtunën ndaj Chelseat, Erikseni organizoi lojën e Brentfordit dhe shënoi golin e parë për skuadrën. Është një prej rezultateve më të mira në histori të klubit, ndërsa u dhanë prova të fuqishme që mbështesin parashikimin e guximshëm të Frankut.

Erikseni tashmë i është kthyer shërbimit te Danimarka. Ai shënoi gol më 26 mars në humbjen 4:2 nga Holanda. Shënoi edhe në fitoren 3:0 ndaj Serbisë, në ndeshjen që shënoi kthimin e tij në stadiumin “Parken” në Kopenhagë, aty ku kishte kolapsuar.

Momenti që Franku kishte në mendje kur angazhoi Eriksenin – në marrëveshjen që ishte një lloj basti për të dyja palët – erdhi në minutën e 54-t të ndeshjes, në një pasdite të mrekullueshme për Brentfordin në “Stamford Bridge”.

Vitaly Janelt sapo kishte shënuar golin e barazimit për Brentfordin, pasi Antonio Rudiger kaloi në epërsi Chelsean. Ishte epërsi jo shumë e merituar, marrë për bazë mënyrën se si mysafirët dominuan në pjesën e parë të ndeshjes.

Te Brentfordi nuk ishin të kënaqur vetëm me barazim. Qartë se i kënaqur nuk ishte as Erikseni. Danezi pranoi në kohë të përkryer pasimin e Bryan Mbeumos dhe goditi saktë për ta dërguar topin mbi Edouard Mendyn.

Fytyra e Eriksenit ishte plot buzëqeshje, ndërsa ai vraponte për t’iu bashkuar festës së tifozëve të Brentfordit. Tifozët më në fund shijuan rezultatin dhe paraqitjen që vetëm mund ta kenë ëndërruar kur nisën rrugëtimin e gjatë për në Londër.

Ishte fitorja e parë e Brentfordit ndaj Chelseat që nga viti 1939 dhe tifozët e meritonin çdo sekondë të festës. Fituesi i Ligës së Kampionëve po turpërohej nga skuadra e tyre.

Statistikat mbështesin ndikimin e Eriksenit, atë për të cilin kishte folur trajneri Frank.

Brentfordi dukej pa ide dhe pa motivim kur humbi 2:0 në shtëpi nga Newcastle Unitedi, më 26 shkurt. Skuadra ishte vetëm tri pikë larg zonës së rrezikshme. Rikthimi i Eriksenit dhe aktivizimi i tij si zëvendësues, 259 ditë pas arrestit kardiak, dukej gjëja e vetme pozitive në një ditë të zhgënjimit të plotë.

Prej atëherë Brentfordi ka fituar tri prej katër ndeshjeve në ligë. Në të tri ndeshjet ka startuar Erikseni. Ai mungoi në disfatën nga Leicester City për shkak të koronavirusit.

Do të ishte e padrejtë dhe fyerje për bashkëlojtarët e Eriksenit të thuhet se suksesi është meritë e vetëm një njeriu. Larg kësaj, çdo lojtar dha kontributin e tij në rezultatin mahnitës ndaj Chelseat, që mund të ishte edhe më i thellë se 4:1.

Ajo që Erikseni i jep Brentfordit janë cilësia, lartësia dhe besimi te vetja. Lojtarët e Brentfordit presin prej danezit udhëheqjen dhe udhëzimet, që të ofrojë momentet që bëjnë dallimin. Ai bën ndryshimin në lojë. Bashkëlojtarët e tij e dinë që Erikseni e ka bërë këtë edhe në nivelin më të lartë. Lojtarët e tjerë mund ta shikojnë atë në aksion, mund ta vërejnë rehatinë dhe besimin derisa lëviz në mesfushë, ndonëse përballë ka lojtarë elitarë. Si N’Golo Kante për shembull, me të cilin Erikseni sërish mund të ballafaqohet me sukses.

Erikseni është në territorin e tij dhe klasi po del në pah, me golat që tashmë po vijnë.

Ish-mbrojtësi i Anglisë, Martin Keown, tha për BBC-në se “shpirti që Brentfordi po tregon është i pabesueshëm. Por ta shohësh Christian Eriksenin në aksion është madhështore. Ai mund ta luajë ende lojën e futbollit që e do aq shumë. Ai nuk po ndalet dhe neve nuk po na mohohet spektakli që Erikseni ofron”.

Në kontekst më të gjerë, rezultati dhe pasojat e tij do të japin vlerën që trajneri Frank dëshironte kur soli Eriksenin. Skuadra me siguri do të mbetet në Premier League, që është një e arritur e madhe. Erikseni natyrisht ka meritat e tij, duke ringjallur skuadrën që dukej e humbur para ardhjes së tij.

Erikseni do të jetë mirënjohës për besimin e trajnerit Frank. Lojtari ka shpërblyer besimin tashmë. Por ai ka edhe shumë për të ofruar në fushat e futbollit.