Kur Christian Erikseni u kthye në stërvitje pas sulmit kardiak që e pësoi në Kampionatin Evropian vitin e kaluar, ishte vetëm një synim në mendjen e tij.
“Mendoj se një prej bisedave të para që kam pasur me mjekun... ishte që synimi im është të luaj në Kupën e Botës nëse çdo gjë do të shkonte mirë”, ka thënë Erikseni në një intervistë së fundmi. “Ajo ishte ëndrra ime në atë kohë”.
Jo shumë nga ata që kishin parë Eriksenin të rrethuar nga mjekët dhe bashkëlojtarët teksa ishte i shtrirë në fushën e “Parken Stadium” në Kopenhagë, e kanë menduar kthimin e mesfushorit. Por, Erikseni pritet të jetë anëtar i rëndësishëm i Danimarkës në Katar, më pak se 18 muaj pasi ekipi mjekësor përdori defibrilator për ta kthyer në jetë zemrën e tij, teksa vendi i tij – dhe pjesa tjetër e botës së futbollit – shikonte me ankth se çfarë po ndodh. Do të jetë hap i radhës i një rikthimi të jashtëzakonshëm të Eriksenit në futbollin elitar. Kthimi fillimisht nisi me Brentfordin dhe më pas me Manchester Unitedin – duke treguar se ai është ende në mesin e organizatorëve më të mirë në botë. Ai u kthye te përfaqësuesja daneze në muajin mars, duke shënuar gol vetëm dy minuta pasi hyri si zëvendësues në humbjen 4:2 nga Holanda. Eriksen po ashtu shënoi gol me gjuajtje nga 23 metra kundër Kroacisë në Ligën e Kombeve në muajin shtator.
“Ndihem në formën më të mirë dhe rehat”, ka thënë Erikseni për mediat daneze në muajin e kaluar, gjatë pushimit shkaku i ndeshjeve të përfaqësueseve. “Nuk ka asgjë që mund të më dalë në rrugë”.
Ekipi për t’u shikuar
Përderisa Erikseni është lojtari më i mirë i Danimarkës, ai është larg nga arsyeja e vetme për të pasur vëmendje në skuadrën e vetme skandinave në Kupën e Botës. Sprova e tij në “Euro 2020” vetëm se e ka bërë Danimarkën më të fortë si ekip, pasi bashkëlojtarët u lidhën edhe më shumë me njëri-tjetrin. Danimarka arriti në gjysmëfinale të turneut para se të mposhtej nga Anglia dhe më pas kompletoi kampanjën kualifikuese thuajse të përkryer për Kupën e Botës – duke i fituar nëntë ndeshjet e para për të siguruar vendin në Katar, para se të mposhtej në ndeshjen e dhjetë dhe të fundit.
“Mendoj se ekipi ka potencial për t’u ngritur në një nivel tjetër”, ka thënë përzgjedhësi i Danimarkës, Kasper Hjulmand. “Kur e mendoj gjysmëfinalen e atij Evropiani kundër Anglisë në ‘Wembley’, për shembull, ne e dimë se mund të luajmë shumë më mirë se që kemi luajtur atë ditë”.
Për ta përforcuar atë deklaratë, Danimarka mposhti 2:0 kampionen në fuqi të Botës, Francën, në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve në muajin shtator.
“Nëse mund të luajmë në atë nivel sërish, ne po ashtu kemi shansin për të marrë rezultat të mirë në Kupën e Botës”, ka thënë Erikseni pas fitores ndaj Francës.
Danezët do të luajnë kundër Francës sërish në Katar, si dhe kundër Austrisë dhe Tunizisë në kuadër të Grupit D.
Lojtarët e tjetër të rëndësishëm
Danimarka ka pranuar vetëm një gol në nëntë ndeshjet e para të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, duke vënë në theks të veçantë forcën e mbrojtjes që nis me portierin Kasper Schmeichel, kapitenin Simon Kjaer dhe qendërmbrojtësin tjetër Andreas Christensen. Pierre-Emile Hojbjerg i Tottenhamit shton një tjetër pikë referimi në mesfushë, ndërsa 22-vjeçari i krahut, Mikkel Damsgaard, shihet si yll në rritje. Pyetja e vetme është se prej nga do të shënohen golat. Mbrojtësi Joakim Maehle dhe mesfushori Andreas Skov Olsen ishin golashënuesit më të mirë të kualifikimeve me nga pesë gola, ndërsa sulmuesi i rregullt, Yussuf Poulsen, pati vetëm një gol të shënuar.