Sulmuesi i Anglisë, Tammy Abraham, po lulëzon te skuadra e Romës pas largimit nga kampioni në fuqi i Evropës, Chelsea. Sulmuesi për të cilin trajneri Jose Mourinho i bindi drejtuesit e Romës të shpenzojnë 40 milionë euro për ta transferuar në muajin gusht, është treguar sërish vendimtar për ekipin kryeqytetas. Abraham të shtunën shënoi golin e vetëm në fitoren e Romës 1:0 ndaj Atalantas, ndeshje e rëndësishme kjo për një vend që sezonin tjetër dërgon në Ligën e Kampionëve. Goli i Abrahamit në pjesën e parë ishte i 20-ti i tij në të gjitha garat për Romën këtë sezon, ndërsa ai shënoi golin e vetëm edhe në fitoren e vikendit të shkuar ndaj Spezias (1:0).
Në fakt, Abraham është bërë futbollisti i parë anglez këtë sezon që ka shënuar 20 gola në të gjitha garat në ligat elitare të Evropës. Ai ka 13 gola në Serie A, gjashtë në Ligën e Konferencës dhe një tjetër në Kupën e Italisë. Triumfi ndaj Atalantas, ka vazhduar serinë e Romës në shtatë ndeshje pa humbje dhe e ka ngritur në kuotën e 47 pikëve. Roma ka pikët e njëjta me Atalantan që është e pesta dhe është e vendosur për ta përfunduar sezonin në vendin e katërt, pasi trajneri Mourinho me çdo kusht po e kërkon pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. E ecuria e mirë e Romës, sipas Abrahamit, është si rezultat i bashkimit të grupit.
Po ashtu, Abraham tha se pa bashkëlojtarët e tij nuk do të mund të shënonte kaq shumë gola deri më tani.
“Çdo ditë po mësojmë më shumë për njëri-tjetrin, dhe kjo po reflekton në fushë. Para disa muajve nuk e kishim këtë fytyrë si ekip, pasi pranonim gol në minutën e fundit. Mirëpo, tani gjërat kanë ndryshuar dhe po luftojmë si një ekip i vërtetë në fushë. Të gjithë jemi të bashkuar për një synim të vetëm, Ligën e Kampionëve”, është shprehur Abraham.
Pas golit të shënuar ndaj Atalantas, e që doli të ishte i fitores, Abraham e puthi logon e klubit. E këtë veprim Abraham e bëri për shkak të respektit të madh që ka për Romën. Ai insistoi se kjo ishte një shenjë nderimi për një ekip që “më ngriti lart” pas “një periudhe të vështirë” në karrierën e tij.
“Unë do të bëj gjithçka për këtë klub. Është një nder për mua që të shënoj gola për Romën dhe me krenari e barti këtë fanellë. Kam pasur një periudhë të vështirë, por Roma ishte ekipi i vetëm që insistoj për mua dhe tani dua t’ia shpaguaj besimin e madh që e kishte tek unë”, është shprehur Abraham. “Shpresoj që të mos ndalem duke shënuar gola dhe pres edhe shumë të tjerë deri në fund të edicionit për ta ndihmuar ekipin të arrijë synimin që ka. Deri më tani ka qenë një udhëtim fantastik për mua, por mendoj se është vetëm fillimi i këtij rrugëtimi”.
Madje, edhe mediumet italiane po shkruajnë se Abraham ka arsyetuar çmimin e tij. Ai deri më tani ka vetëm 36 paraqitje në të gjitha garat për Romën, ekip me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2026. Abraham është produkt i akademisë së Chelseat, ndërsa ka luajtur i huazuar edhe te Bristol City, Swansea City e Aston Villa. Ai në ekipin e parë u promovua në vitin 2017, por vetëm në sezonin 2019/20 u rikthye te Chelsea pas huazimeve dhe me londinezët ka shënuar 21 gola në 58 paraqitje. Abraham, gjithashtu, ka edhe tre gola në dhjetë paraqitje me Përfaqësuesen e Anglisë, për të cilën debutoi në nëntor të vitit 2017.